Tahiri për takimin e 14 shtatorit në Bruksel: Kosova s’ka avantazh për shkak të masave, Kurtin do ta çojmë në shtëpi
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Abelard Tahiri, ka thënë se në takimin e 14 shtatorit Kosova nuk do të ketë avantazh për shkak të masave të vendosur nga ShBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE).
Duke folur për takimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, Tahiri ka thënë se në këtë proces Serbia është në avantazh.
Madje sipas tij, Kurti në dialog është treguar shumë jo transparentë. “Përderisa jemi të sanksionuar kemi disa masa të vendosura nga BE-ja e ShBA-ja nuk mund të flasim për avantazhin e Kosovës. Nuk shkon Serbia e sanksionuar, por Kosova shkon e sanksionuar. Ky është një dëm që qeveria i ka shkaktuar Kosovës”.
“Kurti në këtë proces e karakterizon një mos transparencë. Kosova vazhdoj rrugëtimin e saj të izoluar fatkeqësisht dhe në e kemi angazhimin që të ja shkurtojmë jetën kësaj qeverie”, ka thënë Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
Ai ka thënë se efektet si rezultat i këtyre masave di ta shohim në vitet në vijim. “Pasojat ne do t’i vuajmë edhe në vitet e ardhshme”, ka thënë ai.
Më tutje, Tahiri ka thënë se PDK-ja ka synim që ta rrëzojë qeverinë dhe se në këtë legjislaturë nuk do ta votojnë asnjë marrëveshje, ligj apo rezolutë të qeverisë Kurti, raporton “EO”.
“Çdo votim i yni do të ja zgjasë jetën kësaj qeverie. Nuk ka as edhe një arsye të vetme që ta ndryshojmë këtë qëndrim. Ne nuk e votojmë as një iniciativë në Kuvend të kësaj qeverie, asnjë marrëveshje ndërkombëtare asnjë ligj as rezolutë asgjë tjetër”, ka thënë Tahiri.