Tahiri: Përcjellja e lëndëve në formë elektronike, shmang procedurat e gjata
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, e ka vlerësuar të një rëndësie të veçantë kalimin e gjyqësorit në E-Gjyqësor, përmes Sistemit Informativ të Menaxhimit të Lëndëve.
“Përcjellja e lëndëve në formë elektronike do të mundësohet përmes Sistemit Informativ të Menaxhimit të Lëndëve, gjë që do të mundësojë transparencë, efikasitet dhe qasje më të lehtë në drejtësi, duke iu shmangur procedurave të gjata”, ka thënë ministri Tahiri gjatë takimi që ka pasur të martën me sekretarin e Shtetit për Punë të Jashtme të Norvegjisë, Audun Halvorsen.
Tahiri ka shprehur konsideratë të lartë për mbështetjen që Mbretëria e Norvegjisë ka dhënë për Kosovën sidomos në sundimin e ligjit si dhe qasjen në drejtësi.
Për E-Drejtësinë, ministri Tahiri ka thënë se do të flitet edhe tek Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit.
“E-Drejtësia është temë e paraparë tek Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit. Qëllimi i Rishikimit është të analizoj materialet e publikuara deri më tani për sektorin e sundimit të ligjit, të analizoj më tutje ndryshimet e mundshme që duhet të bëhen në këtë sektor, në mënyrë që të fuqizoj sundimin e ligjit dhe ekonominë e vendit, duke siguruar ligje që garantojnë qartësi juridike”, ka thënë Tahiri.
Nga ana e tij, sekretari i Shtetit për Punë të Jashtme të Norvegjisë, Audun Halvorsen, ka përgëzuar ministrin Tahiri për hapat e ndërmarrë në Rishikimin Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, por edhe për plotësim ndryshimin e legjislacionit penal dhe civil.
/Epoka e re/