Tahiri përfundon garat në “PyeongChang 2018”, kjo është deklarata e tij
Skitari Albin Tahiri ka mbyllur garat në Lojërat Olimpike Dimërore “PyeongChang 2018”.
Skitari nga Kosova zuri pozitën 39 nga 108 garues në disiplinën e sllallomit, ku shumë garues u diskualifikuan. Pas dy lëshimeve Albini pati kohën 2:02.93 sekonda. Në lëshimin e parë garuesi ynë ishte i 48-ti me kohën 1:00.98 sekonda. “Sot ishte një garë e vështirë, shumë garues nuk e përfunduan, unë ia dola dhe jam i lumtur për këtë. Vendi 39 nuk është i keq. Krejt çfarë mund të them është se të gjitha garat i përfundova deri në fund dhe ky është një sukses në vete. Të jesh gati çdo ditë në borë është lodhje, andaj ju faleminderit të gjithëve këtu dhe atyre në Kosovë për përkrahjen”, ka thënë Albin Tahiri pas garës.
Trajneri i tij, Agim Pupovci, nuk kishte pritur paraqitje të tillë në sllallom, pasi disiplinat më të mirë për Albinin janë disiplinat e shpejta.
“Sot ishte gara e fundit, jemi të kënaqur, na ka befasuar me sllallom, sidomos me lëshimin e parë ku shumë garues nuk e përfunduan. Na ka befasuar për të mirë në disiplinat teknike, pasi më shumë kemi pritur në disiplinat e shpejta”, ka deklaruar Pupovci.
Medaljen e artë e fitoi suedezi, Andre Myhrer, me kohë 1:38.99 sekonda. E argjendta shkoi për zviceranin, Ramon Zenhauersen (1:39.33 sek), kurse të bronztën e fitoi austriaku, Michael Matt, me kohë 1:39.66 sek. Kujtojmë që Albini garoi edhe në katër disiplinat tjera si: kombinim alpin (vendi 37), lëshim (50), super sllallom të madh (47), sllallom të madh (56) dhe sllallom (39).