Tahiri: Prekja e kufijve çon në luftë
Ish-ministrja e Dialogut, Edita Tahiri, ka thënë se sa më shumë që afrohemi tek finalja e dialogut, Serbia del me skenarë të rrezikshme dhe këto janë pikërisht skenarë të mundësisë së ndarjes së Kosovës apo të shkëmbimit të territoreve.
“Këto të gjitha kanë të bëjnë me ambicie të Serbisë e cila dhe sot synon krijimin e Serbisë së Madhe në dëm të shteteve të tjera, në këtë rast në dëm të Kosovës dhe kombit shqiptar dhe janë të nxitura po ashtu edhe nga agjendat gjeopolitike ruse. Pavarësisht skenarëve të rrezikshme të Serbisë, Kosova është e vendosur dhe në dialog do te mbroje sovranitetin, integritetin territorial dhe çfarëdo marrëveshje finale që mund të dali nga dialogu i Brukselit duhet të jetë dhe do të jetë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri në një intervistë dhënë gazetares së RTSH-së, Mimoza Haxhiaj.
Duke folur rreth shkëmbimit të territoreve me Serbinë, Tahiri ka thënë se prekja e kufijve do të krijonte mundësinë e ndonjë lufte të re.
“Këto janë të nxitura nga Serbia, por unë jam e bindur që janë po ashtu të mbështetura nga Rusia e cila ka një rikthim të ambicieve gjeopolitike ndaj Ballkanit. Por një mesazh që duhet t’i dërgohet faktorit ndërkombëtar është se prekja e kufijve të Kosovës, çon në luftë, sepse Ballkani është i njohur që nuk bën prekje kufijsh apo ndryshim kufijsh në forma të tjera dhe e dyta që në rastin e Kosovës nuk mund të flasim vetëm për shtetin e Kosovës, por duhet të shikojmë edhe kombin shqiptar, nëse preken kufijtë në Ballkan, duhet të preken për të gjithë Ballkanin dhe me këtë rast edhe të gjithë shqiptarët do të ishin të hapur për të biseduar, por prekja parciale e kufijve do të krijonte një efekt domino me efekte destabilizuese deri në mundësinë e ndonjë lufte të re mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Tahiri.
https://youtu.be/jtFbP8QPfNA