Tahiri premton transparencë në zgjedhjen e drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, së bashku me shefen e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Alexandra Papadopoulou dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruari O’Connell, kanë vizituar Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Duke pasur parasysh rëndësinë që ka ky institucion në aspekte shumë të ndjeshme të shoqërisë, e sidomos në trajtimin e çështjeve siç është ajo e personave të zhdukur, ministri Tahiri ka bërë me dije se nga një departament i Ministrisë së Drejtësisë, Instituti i Mjekësisë Ligjore është shndërruar në agjenci.
Ai ka falënderuar Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, e cila në bazë të marrëveshjes që ka me Qeverinë është angazhuar në konkursin për përzgjedhjen e drejtorit të këtij instituti.
Meqenëse konkursi nuk ka qenë i suksesshëm dy herë për shkak të mungesë të aplikuesve të mjaftueshëm që kanë plotësuar kriteret e caktuara, ministri Tahiri ka bërë publikisht thirrje për të gjithë ata që plotësojnë kushtet që të aplikojnë me rastin e shpalljes së konkursit për herë të tretë, duke garantuar se i gjithë procesi do të jetë fer dhe transparent.
Ministri Tahiri ka potencuar nevojën që fuqizimi i këtij instituti tash të vazhdojë edhe me shkollimin e kuadrove të reja në fushat deficitare.
“Si Qeveri e Republikës së Kosovës, jemi të interesuar që t’i ngrisim kapacitetet. Jam i interesuar që të angazhohemi bashkërisht të investojmë në kuadro të reja, kemi deficit të kuadrove për shumë arsye. Si ministër i Drejtësisë do të mundohem t’i mobilizoj të gjitha resurset relevante, që të gjejmë forma dhe burime financimi për bursa në shkollimin e të rinjve tanë në fushat specifike deficitare të mjekësisë ligjore, që nesër t’i kemi pranë këtij instituti”, ka deklaruar Tahiri.
Kurse shefja e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Alexandra Papadopoulou, ka falënderuar ministrin për iniciativën në plotësimin e kapaciteteve të këtij instituti.
“Dua të falënderoj ministrin për angazhimin e tij në iniciativën për të plotësuar kapacitetet e Institutit. Pasi EULEX-i është duke u tërhequr ngadalë, jemi duke kërkuar partnerë kredibil dhe kompetentë për t’i dorëzuar lëndët tona, dhe për të punuar me ta për t’i shërbyer sa më mirë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Papadopoulou.
Për ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruari O’Connell, anulimi dy herë i konkursit për Drejtor të Institutit, tregon përkushtimin për gjetjen e një drejtori të mirë.
“Për mua ky nuk është dështim, për mua ky fakt tregon që Qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë serioze për të gjetur drejtorin e mirë nga një fushë e gjerë e kandidatëve. Kjo është shumë e rëndësishme, jo vetëm për këtë institucion, por gjithashtu për parimin në Kosovë, që rekrutimi duhet të bëhet në bazë të meritës”, ka thënë O’Connell.
Ndërkohë drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, i ka falënderuar të pranishmit për mbështetjen që i kanë dhënë këtij instituti.
“Jam i kënaqur me ndërhyrjet e shpejta të ministrit i cili është i interesuar që ky Institut të merr kahen e duhur”, është shprehur ai.