Tahiri prezanton 10 pikat e tryezës së bujqësisë
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka publikuar 10 pikat e tryezës së bujqësisë, të cilën e organizoi sot ky grup parlamentar.
“1. Politikat në Sektorin e Bujqësisë nuk janë fikse, ato janë relative pasi që varen nga shumë faktorë të cilët duhen marrë parasysh në procesin e financimit përmes subvencioneve. 2. Sektori i bujqësisë duhet të jetë prioritet kombëtar, të i rritet buxheti pasi që ky sektor krijon zhvillim ekonomik, vende të reja pune, është ndërmarrësi strategjike ekonomike dhe angazhim jashtë kryeqytetit e zona urbane. Riorganizimi i Buxhetit është parakusht i suksesit. 3. Planifikimi i politikave bujqësore duhet të vijë si proces i përbashkët i monitorimit të sektorit të bujqësisë nga qeveria dhe informatave që vijnë nga komunat. Bilanci i tanishëm i importit me eksport është 9 me 1. Duhet të reduktohet importi, të stimulohet prodhimi që krijon eksport. 4. Subvencionet duhet të arrijnë te fermeri në kohë dhe duhet të adresojë nevojën në kohë të caktuar. Kriteret për Grante duhet të lehtësohen, të jenë të ndërlidhura me kontekstin e Kosovës dhe zonës së rendimentit prioritar. Subvencionet duhet të jenë në bazë të kapacitetit të fermës dhe jo vetëm pronës. Grantet të jenë gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në një kohë. Subvencionimi i derivateve për fermerë duhet të jetë më i lartë dhe kjo rritje duhet të ndodh me urgjencë. Nuk ka logjikë që fermerët të blejnë naftë me çmimin e njëjtë që e blen dikush me veturë luksoze”.
“5. Tokat bujqësore duhet të klasifikohen si aset nacional, ndërsa Kuvendi duhet të miratojë Ligjin për Zonat Strategjike për Bujqësi dhe kategorizimin e produkteve strategjike. Sistemi i ujitjes të modernizohet, dizajnimi i sistemit të ujitjes të adaptohet sipas kontekstit dhe të zgjerohet e rehabilitohet. Pendat akumuluese të ndihmohen. 6. Takime konsultative Qeveri-Komunë-Fermer-Fakultet i Bujqësisë duhet të jenë të rregullta dhe periodike në 7 qendrat rajonale të vendit. 7. Burokracia e tepruar dhe digjitalizimi po diskriminon fermerët pasi që të njëjtit nuk kanë kapacitete të avancuara. Qeveria duhet të ndihmojë fermerët me lehtësira burokratike, si në procesin e aplikimit po ashtu edhe në përgatitjen e planeve biznesore. Qeveria duhet të adresojë me urgjencë emërtimin e noterëve në mënyrë që të eliminohen pritjet në disa komuna dhe rritjen e numrit të Inspektorëve. 8. Qeveria duhet të adresojë shpopullzimin, respektivisht dy fenomene negative: 1. migrimin e madh nga zonat rurale në ato urbane brenda Kosovës dhe 2. migrimin nga Kosova jashtë vendi. Ky trend i ikjes po e dëmton fuqinë punëtore në bujqësi.
9. Dëmet në Bujqësi krijojnë probleme dhe dëme serioze të këtij sektori. Sigurimet bujqësore duhet të adresojnë specifikisht situata të paparashikueshme, si reshjet atmosferike, vërshimet, breshëri dhe katastrofa tjera natyrore. 10. Qeveria duhet të stimulojë investimet e huaja direkte. Duhet të hartohet një ofertë strategjike për investime në bujqësi nga kompani të huaja”, ka shkruar Tahiri në “Facebook”.