Tahiri: Pushteti ua shuan shpresat zyrtarëve publikë për meritokraci dhe karrierë profesionale
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka bërë me dije se amendamentet e propozuara në Komisionin për Administratë Publike janë refuzuar nga pushteti dhe kësisoj sipas tij janë shuar shpresat e zyrtarëve publikë për meritokraci dhe karrierë profesionale.
Përmes një reagimi në “Facebook”, Tahiri ka treguar propozimet e tij të parashtruara në këtë komision, por nuk kanë gjetur përkrahje.
“Propozimet ishin konkrete: Nenet 44 dhe 46 për procedurat e emërimit të nëpunësve të ulët dhe të mesëm drejtues, propozoj të rishkruhen tërësisht dhe të kthehet rregullimi siç është tani në Ligjin për zyrtarët publikë. Pra, të kthehet sistemi i karrierës, lëvizjes brenda kategorisë dhe ngritjes në detyrë siç është tek neni 38 dhe 39 i ligjit aktual në fuqi”, ka shkruar Tahiri.
Më tutje, ai ka thënë se ka sugjeruar që procesi i rekrutimit të pozitave të nivelit të lartë në bazë të meritokracisë, në bazë të nenit 47, të bëhet përmes përzgjedhjes të tre kandidatëve që kanë fituar më së shumti vota nga pragu prej 70 për qind, ku përpos kandidatit me më së shumti vota, të bëhet edhe përzgjedhja e kandidatit të dytë ose të tretë përmes arsyetimit me shkrim.
Në Komisionin për Administratë Publike, Tahiri ka propozuar që në Ligjin e Pagave të shtohet edhe një paragraf i ri në nenin 9, ku vlera e koeficientit të jetë 129 euro, vlerë e cila duhet të rritet “varësisht nga lëvizjet buxhetore” në vitet pasuese.