Tahiri: Qeveria aktuale ka shkeljet më të mëdha kushtetuese
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) të martën ka mbajtur konferencë për media.
Shefi i grupit parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, tha se në Ditën e Kushtetutës Republika e Kosovës po përballet me një qeveri antikushtetuese.
“Në këtë ditë kujtojmë se antikushtetuesja, arbitrariteti e ka kthyer këtë qeveri me shkeljet më të mëdha kushtetuese”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka thënë se në Ditën e Kushtetutës, AAK-ja e sheh si shqetësim, kthimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial dhe Ligjin për Pagat.
“Gjykata Kushtetuese ka kthyer pas Ligjin për KPK-në në tërësi, Ligjin për produktet themelore destabilizim, Ligjin për paga. Kjo qeveri për tri vite ka proceduar me procedurë të përshpejtuar një mori ligjesh nga 104 ligje mes qershorit 2022 dhe 2023, 21 janë miratuar pa përpjekje për konsensus partiak”, ka deklaruar deputeti Tahiri.