Tahiri: Qeveria i ikën komunikimit me sindikalistët, ka zgjedhur t’i lë fëmijët jashtë shkollave
Shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka bërë një foto para shkollës “Xhemail Mustafa” në Prishtinë, ku dy fëmijët e tij vijojnë mësimin në këtë shkollë.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se Qeveria duke i ikur komunikimit me sindikalistët ka zgjedhur t’i lë fëmijët jashtë shkollave.
“T’i injorosh kërkesat legjitime të cilitdo grup shoqëror, në këtë rast të sindikalistëve të arsimit, duhet të jesh indiferent, përjashtues dhe arbitrar. Qeveria duke i ikur komunikimit, ka zgjedhur qëndrimin në izolim, të cilin po e pësojnë fëmijët tanë që një javë, në vend se të jenë në banka shkollore”.
“Kjo qeveri erdhi në pushtet përmes thirrjeve e narrativeve emocionale e humane. Çudia dhe ironia më e madhe që shohim është se të gjitha veprimet e saj, tregojnë se kjo qeveri tanimë është shkëputur nga realiteti! P. S. Foto e bërë para shkollës së dy djemve të mi!”, ka shkruar Tahiri.