Tahiri: Qeveria nuk do të lejojë që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive
Besnik Tahiri, Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore në Qeverinë e Kosovës, ka thënë se statuti i Asociacionit duhet të reflektojë rekomandimet dhe të marrë për bazë udhëzimet e Kushtetueses.
Përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” Tahiri ka shkruar se Qeveria do të jetë e qartë duke mos lejuar që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive, dhe sipas tij në të njëjtën kohë duke mos lejuar nivel të dytë rajonal në sistemin politik dhe qeverisës të vendit.
Postimi i plotë i Tahirit:
Shumë është fol këto ditë rreth Asociacionit, themelimit dhe fuqisë së këtij institucioni! Rreth kësaj teme po i them tri fjali që në shumë debate e shkrime i kam theksuar gjatë ketyre viteve:
E para, në Kosovë, të gjitha institucionet e shtetit e kanë për obligim të marrin për bazë rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese. Si rrjedhojë, Statuti i Asociacionit duhet të reflektojë rekomandimet dhe të marrë për bazë udhëzimet e Kushtetueses. Ndërsa, në të njëjtën kohë, Qeveria do të jetë e qartë duke mos lejuar që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive dhe në të njëjtën kohë duke mos lejuar nivel të dytë rajonal në sistemin politik dhe qeverisës të vendit.
E dyta, askund në botë nuk ka një praktikë që Asociacioni i Komunave të ketë përgjegjësi mbi arsimin e lartë apo fushave tjera vitale. Kjo do të thotë se një kërkesë e tillë nga Beogradi është një lojë që për qëllim ka ta paraqet Kosovën keq para faktorit ndërkombëtar e pse jo edhe ta shtyej themelimin e këtij Asociacioni me synim që të nxit ndonjë projekt tjetër politik!!!!
E treta, sa i përket funksionimit dhe organizimit të qeverisjes lokale në përgjithësi, e me theks tek asociacionet e komunave, definitivisht Serbia nuk ka as shembuj e as praktika të mira në këtë fushë. Atje edhe më tutje komunat nuk kanë ndonjë rol në fuqizimin e demokracisë së drejtpërdrejt, autonomisë fiskale e as në aspektet e shërbimeve dhe atyre zhvillimore.
Krejt në fund, logjika e Asociacionit nuk është streh nacionalizmi, por instrument për demokratizim dhe integrim.
BT