Tahiri: Qeveria po ndërton platformën e dialogut për zhvillim të politikave me partnerët zhvillimorë
Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri, ka pritur në takim Agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, për të diskutuar lidhur me forcimin e Dialogut për Zhvillimin e Politikave me Partnerët Zhvillimorë (PDDP).
Tahiri ka theksuar se dokumenti i Dialogut për Zhvillimin e Politikave me Partnerët (PDDP) është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një platforme të qëndrueshme të komunikimit strategjik, konsultimit, bashkëpunimit dhe ndërveprimit midis institucioneve dhe partnerëve zhvillimorë në funksion të reformave dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
“Ky proces do të rrisë komunikimin strategjik ndërmjet të gjithë aktorëve, të cilët do të sigurojnë shkëmbimin e informacionit mbi dinamikën e zbatimit të iniciativave të reformës dhe fuqizimin e dialogut në harmonizimin e qasjeve të partnerëve zhvillimorë me partnerët institucionalë”, ka thënë Tahiri.
Ai ka shtuar se PDDP-ja është platformë për përmirësimin e politikave qeveritare në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm.
“Për më tepër, PDDP adreson arritjet dhe perspektivat e reformave në shërbim të agjendës së zhvillimit. Në të njëjtën kohë, nëpërmjet forcimit të dialogu të institucioneve me partnerët e zhvillimorë rriten shanset për suksesin e Kosovës në zbatimin e Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm (SDG)”.
“Objektivi kyç i kësaj platforme është forcimi i bashkëpunimit në mes institucioneve dhe partnerëve zhvillimorë. Nëpërmjet kësaj Qeveria do të sigurojë një dialog të strukturuar, koheziv dhe të qëndrueshëm, që prioritetet strategjike të partnerëve të zhvillimit të jenë në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe Agjendën e Reformave Evropiane, si dhe me strategjitë nacionale dhe sektoriale të Kosovës. Kësisoj, do të demonstrohet progres i shtuar, llogaridhënie dhe konvergjencë për mbështetjen e partnerëve, si dhe për prioritizimin e përbashkët të çështjeve aktuale dhe adresimin e sfidave të ardhshme”, ka deklaruar Tahiri.