Tahiri: Qeveria t’i përvishet punëve për të siguruar energji elektrike

15 dhjetor 2021 | 23:15

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar në lidhje me mungesën e energjisë elektrike, buxhetimit të Ligjit të Pagave dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Tahiri përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka kërkuar nga Qeveria që t’i përvishet punëve për të siguruar energji elektrike për qytetarët.

Ai ka thënë se Qeveria Kurti duhet t’i lë anash retorikat sesi duhet kursyer rrymën. “Qeveria duhet të reflektojë në këtë temë, për shkak se energjia elektrike është nevojë e të gjithëve”, ka shkruar Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së ka kërkuar po ashtu nga Qeveria Kurti të reflektojë në raport me buxhetimin e Ligjit të Pagave, në mënyrë që të caktojë një linjë buxhetore.

Postimi i plotë i tij:

Mungesa e energjisë elektrike, buxhetimi i Ligjit të Pagave e vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, ishin disa nga temat të cilat i trajtova para mediave, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
– Situata me energjinë elektrike në vend
Kosova dhe qytetarët e saj po përballen me mungesë të energjisë elektrike në kohën kur temperaturat kanë shënuar ulje në sezonin dimëror.
Ka një kohë, për më shumë se tre muaj, që si grup parlamentar e ngrisim çështjen e energjisë elektrike në forma të ndryshme: njëherë është ndërlidhur me çështjen e gazsjellësit, pastaj kemi diskutuar në raport me KEK-un që ta trajtojmë në mënyrë strategjike. Dhe, sot, fatkeqësisht Kosova ka mbetur në terr, madje edhe në kohën kur vendin tonë e vizitoi për herë të parë një president i shtetit fqinj.
Kërkoj nga Qeveria që t’iu përvishet punëve për të siguruar energji elektrike të mjaftueshme, e t’i lë anash retorikat sesi duhet kursyer rrymën. Qeveria duhet të reflektojë në këtë temë, për shkak se energjia elektrike është nevojë e të gjithëve. Tashmë jemi para festave të fundvitit dhe të bëhet çmos që qytetarët të kenë energji elektrike të mjaftueshme.
Nuk është lajm për qytetarët që t’u thuhet se në sezonin e dimrit rritet konsumi i energjisë elektrike. Por, Qeveria duhet të punojë që të sigurojë energji elektrike dhe në këtë temë të ballafaqohet me qytetarët në mënyrë të sinqertë, e mos t’ua drejtojë gishtin qytetarëve se po konsumojnë energji elektrike. Në këtë kohë, tema e energjisë elektrike duhet të jetë prioritet i Qeverisë së Kosovës.
– Buxhetimi i Ligjit të Pagave

Është tepër me rëndësi që Qeveria të reflektoj në raport me buxhetimin e Ligjit të Pagave, pra të caktojë një linjë buxhetore. Në të kundërtën, nëse kjo linjë buxhetore nuk do të jetë në Ligjin e Buxhetit, Qeveria nuk do të mund ta jetësojë këtë ligj në vitin 2022.
Andaj, lusim Qeverinë e Kosovës që deri më 17 dhjetor të reflektojë amendamentin të cilin e kam prezantuar për Ligjin e Pagave dhe ta votojmë.
– Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për KPMShCK
Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin e Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, vendim i marrë në qershor të këtij viti. Më 1 qershor, në Komisionin Parlamentar iu kam drejtuar anëtarëve të komisionit që të kenë kujdes, sepse do ta lënë këtë institucion pa bord, për shkak se e gjithë procedura e shkarkimit nuk dallonte nga procedurat që ata i kanë kritikuar më parë.
E, sot, jemi para një vendimi të prerë të Gjykatës Kushtetuese, ku thuhet se Kuvendi i Kosovës e ka shkelur Kushtetutën me atë vendim. Andaj, kryeministri Kurti duhet të reflektojë për gjendjen të cilën e ka proklamuar krejt ndryshe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeparlamentari Glauk Konjufca në fund të fushatës zgjedhore në Mitrovicë,…