Tahiri: Qytetarët nuk do të shkojnë në burg për kundërvajtje
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka bërë me dije se nga 1 janari i këtij viti ka filluar së zbatuari në tërësi Ligji për Kundërvajtje.
Ai ka thënë se ky ligj ka qenë jo vetëm nevojë, por edhe domosdoshmëri.
“Përmes këtij ligji të cilin e ka hartuar ministria që unë drejtoj, kemi vendosur parime dhe standarde cilësore ligjore të cilat janë parakushte elementare për reformimin e fushës së kundërvajtjes, si dhe për zbatimin efikas të procedurave të shqyrtimit dhe zgjidhjes së veprave të tilla. Gjithashtu, do të arrihet një reformë substanciale në fushën e kundërvajtjes, ku parashihet heqja e dënimit me burgim për kundërvajtje”, ka thënë ministri Tahiri.
Sipas tij, ky ligj do të ketë ndikim pozitiv tek gjykatat.
“Një gjë e tillë u mundëson gjykatave shkarkimin nga numri i madh i lëndëve të kundërvajtjes. Prandaj, e vlerësoj gatishmërinë e institucioneve për zbatimin e këtij ligji dhe i ftoj të gjitha subjektet në këtë procedurë që t’i realizojnë të drejtat dhe obligimet e përcaktuara në të”, është shprehur ministri Tahiri.