Tahiri: Ramush Haradinaj do të jetë kandidat për kryeministër
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se Ramush Haradinaj do të jetë i nominuar për kryeministër nga radhët e koalicionit AAK-NISMA-Konservatorët dhe E-30.
Tahiri në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se Haradinaj është bartës i këtij koalicioni. Ai ka thënë se pritet të nominohet zyrtarisht.
“Duke qenë si bartës i këtij koalicioni, Ramush Haradinaj normalisht që do të jetë i nominuar. Por, i nënshtrohet një procedure në parti, në koalicion që të marrë formalisht nominimin”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka thënë se në zgjedhjet e 9 shkurtit AAK-ja do ta ketë rezultatin më të mirë ndonjëherë në zgjedhjet parlamentare.
Ai ka thënë se viti 2025 do të jetë shumë i rëndësishëm për AAK-në.
“Mendoj se Aleanca jo që do të dyfishojë rezultatin që kishte nga zgjedhjet e kaluara. Dyfishim do të ketë gjithsesi, do të jetë diku 15 për qind…Ne kemi pasur 100 mijë vota në zgjedhjet e fundit lokale. Në zgjedhjet pikë referente nuk është 14 shkurti pasi ishte uragan kundër partive ‘të vjetra’. Nuk është pikë referente. Nëse është ai 100 mijë vota që kemi pasur, e 30 mijë të NISMËS e numër relativisht i mirë i dy partive tjera në koalicion, atëherë vijmë deri 140 mijë vota. Nëse janë 750 mijë vota, atëherë Aleanca del diku te 19 për qind”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka thënë se AAK-ja i di gabimet e bëra në të kaluarën, e mesin e tyre thotë se është koalicioni me PAN-in.