Tahiri: Raporti i DASh-it për Kosovën është letërnjoftimi i kësaj qeverie
Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në seancën e Kuvendit të Kosovës ka përmendur raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh) dhe atë të “Freedom House”, duke thënë se Kosova asnjëherë nuk është klasifikuar kaq rëndë.
Tahiri ka thënë se raporti thekson korrupsionin serioz në qeveri, teksa ka thënë se raporti është “letërnjoftimi i kësaj qeverie”.
“Në historinë e qeverisjes në Kosovë asnjëherë vendi ynë dhe qeveria nuk ka marrë një klasifikim kaq të rëndë dhe kaq serioz, kaq keq në raport me gjendjen e vendit tonë. Për me kuptuar sa keq dhe sa është e rëndësishme të diskutojë këtë raport vetëm hapeni faqen e parë, flet në radhë të parë për një korrupsion serioz në qeveri, as nuk thotë në qeverisje, korrupsion serioz në qeveri”.
“Shkon tutje flet për dhunën në bazën gjinore, për fjalën e lirë dhe flet për kërcënimet e gazetarëve. Çka duhet të thotë më shumë një raport i DASh-it për të adresuar një çështje e cila është problem jashtëzakonisht i madh. Ky raport është letërnjoftimi i kësaj qeverie”, ka thënë Tahiri.