Tahiri reagon ndaj kritikave të ambasadorit amerikan për Ministrinë e Drejtësisë

21 qershor 2019 | 22:28

Ministri i Drejtësisë i Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se institucioni që ai drejton nuk ka asnjë kompetencë ligjore për të liruar nga vuajtja e dënimit asnjë person.

Komentet e Tahirit vijnë si reagim ndaj deklaratave të ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, i cili tha të premten se “Ministria e Drejtësisë ka nënshkruar lirimin e një të dënuari për krime lufte me 15 vjet burgim, në rastin Kukësi, i cili ka vuajtur 12 muaj (burgim) në 3 vjetët e fundit”.

Përmes një deklarate, ministri Tahiri ka thënë se e vetmja kompetencë që ndërlidh Ministrinë e Drejtësisë me personat e dënuar, është menaxhimi me qendrat korrektuese, të cilat, në secilën rrethanë që ndërlidhet me lirimin apo mbajtjen e personave të dënuar brenda burgjeve, zbatojnë vendimet e organeve të pavarura, përkatësisht vendimet gjyqësore, siç ndodh rëndom në shtetet ku sundon rendi dhe ligji.

“Unë kërkoj dhe ftoj që gjeneruesit e këtij lajmi, si dhe ambasadori Kosnett të kenë referencë të saktë ligjore mbi procedurat që ndiqen për të liruar ose mbajtur dikë brenda qendrave korrektuese”, ka thënë mes tjerash Tahiri.

Kosnett u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të ndalin, siç tha, praktikën e pezullimit të dënimeve dhe abuzimet e kriminelëve të lidhur me sistemin e pushimit shëndetësor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Per gati 40 minuta zgjati fjalimi i kreut të PD-së…