Tahiri reagon për mbylljen e terminalit doganor në Merdare, thotë se po goditet Llapi
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar për mbylljen e terminalit doganor në Merdar duke thënë se kjo qeveri po e godet qytetin e Podujevës.
“Zhvendosja e terminalit doganor nga Merdari është goditje e madhe për një zonë e qytet si Podujeva, që është porta kryesore që e lidhë Kosovën me Evropën. Për më keq, ky vendim në tërësi eliminon projeksionet për Zonën Ekonomike dhe planin për ngritje ekonomike dhe punësim në Llap”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka theksuar se kjo është goditja e radhës, nga një qeveri jokompetente që e pengon zhvillimin.
“Ndërsa goditja e dyta, pas Orllanit, që tashmë është bllokuar si potenciali kryesor për zhvillim e turizëm në Llap e Gollak. Si deputet, u bëjë thirrje gjithë kolegëve dhe Qeverisë që t’i ndalë bllokadat e t’i hapë rrugë zhvillimit. Në qoftë se vendimi është i përkohshëm dilni e tregoni, mos u fshehni”, ka shkruar Tahiri.