Tahiri: Reciprociteti me Serbinë është në marrëveshjet e Brukselit

02 mars 2020 | 11:21

Ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ia ka bërë me dije Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, se reciprociteti me Serbinë gjendet në marrëveshjet e Brukselit

Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”, ka numëruar disa nga marrëveshjet në mes të Kosovës dhe Serbisë të cilat kanë të bëjnë me njohje reciproke të dokumenteve shtetërore.

“Reciprociteti është arritur në fushat e lëvizjes së lirë dhe tregtisë së lirë, e jo vetëm për certifikatën EUR1, siç thotë Qeveria. Marrëveshjet e Brukselit kanë mundësuar njohjen reciproke të dokumenteve shtetërore mes Kosovës, që do të thotë se në këto fusha Serbia ka njohur shtetin e Kosovës”, ka shkruar Tahiri.

Postimi i plotë i Tahirit:

RECIPROCITETI ME SERBINË ËSHTË NË MARRËVESHJET E BRUKSELIT

Duke qenë se Qeveria e re ende nuk gjeti kohë për t’i studiuar Marrëveshjet e Brukselit, unë si kryenegociatore dhe ekipi im, po ua kujtojmë se reciprociteti me Serbinë është në marrëveshjet e Brukselit. Reciprociteti është arritur në fushat e lëvizjes së lirë dhe tregtisë së lirë, e jo vetëm për certifikatën EUR1, siç thotë Qeveria. Marrëveshjet e Brukselit kanë mundësuar njohjen reciproke të dokumenteve shtetërore mes Kosovës, që do të thotë se në këto fusha Serbia ka njohur shtetin e Kosovës.
1. Serbia i njeh vulat doganore të Kosovës dhe gjithë dokumentacionin përcjellës,
2. Serbia njeh pasaportën e Republikës së Kosovës, sa herë që qytetarët tanë fluturojnë përmes aeroporteve të tyre apo kalojnë nga Serbia në vendet e BE-së,
3. Serbia njeh certifikatat e lindjes së Republikës së Kosovës,
4. Serbia njeh patentë shoferët,
5. Serbia njeh certifikatat fito-sanitare,
6. Serbia njeh policat e sigurimeve të automjeteve,
7. Serbia njeh certifikatat ADR (transporti i mallrave të rrezikshme),
8. Serbia njeh Certifikatat e produkteve medicinale, etj.
9. Hapja e përfaqësive diplomatike në dyja shtetet,
10. Edhe reciprociteti për targat e automjeteve është arritur në 2016, vetëm duhet të zbatohet (për këtë çështje vonesat janë bërë nga Kosova).

Të gjitha këto janë të arriturat e dialogut të Bruksel të filluar ne vitin 2011 deri në 2017, me ndërmjetësimin e BE-së dhe të SHBA-së.

Ekipi negociator i udhëhequr nga unë është përbërë nga këshilltarë politikë dhe ekspertë të këtyre fushave të deleguar nga ministritë përkatëse. Ka qenë kënaqësi të punoj me këtë ekip prej me shumë se 150 zyrtarëve të devotshëm dhe patriotë për shtetin.

Dialogu i Brukselit u ndërpre në vitin 2018, për shkak të lojërave të rrezikshme për kufijtë. Po ua them, derisa kam qenë unë udhëheqëse e dialogut, Serbia nuk ka guxuar ta hap gojën për këto tema, as për kufij e as për shkëmbim territoresh.

/Epoka e re/

https://www.facebook.com/photo.php?fbid=3082492598449900&set=a.1636835476348960&type=3&theater

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Izraeli sot mban zgjedhjet e treta në më pak se…