Tahiri: Reformat në drejtësi do të përmirësojnë shërbimet ndaj qytetarëve
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka takuar të enjten delegacionin e MCC-së në Uashington të shoqëruar nga drejtori ekzekutiv i Fondacionit Mileniumi i Kosovës, Petrit Selimi.
Ministri Tahiri ka njoftuar delegacionin për reformat që janë duke u ndërmarrë në sektorin e sundimit të ligjit, ndryshimet e bëra në legjislacion, nisur nga Pakoja e Ligjeve për Gjyqësorin, Pakoja e Ligjeve Anti Korrupsion, Kodi Penal, e deri tek Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit.
Tahiri ka potencuar se gjithë këto reforma bëhen për të rritur shërbimet e institucioneve të drejtësisë karshi qytetarëve, me theks të veçantë në rëndësinë e ngritjes së transparencës.
“Andaj, llogaridhënia është shumë e rëndësishme për Ministrinë e Drejtësisë. Përveç reformimit të sektorit, duhet të përmirësojmë perceptimin e qytetarëve që kanë për institucionet e drejtësisë, dhe kjo bëhet duke rritur komunikimin mes agjencive dhe institucioneve të drejtësisë, karshi qytetarëve dhe publikut”, është shprehur ministri Tahiri.
Në këtë kontekst, Tahiri ka theksuar se është i interesuar që të intensifikojë edhe më tutje bashkëpunimin me MCC-në, në mënyrë që Ministria e Drejtësisë të jetë pjesë aktive e nismave dhe projekteve që synojnë ngritjen e transparencës, e me të edhe të efikasitetit të institucioneve të drejtësisë, me qëllim të llogaridhënies më të mirë.