Tahiri: Rekomandimet e Komisionit për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë degraduese
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se është jashtëzakonisht i zhgënjyer me rekomandimet përfundimtare që Komisioni për Administratën Publike, Qeverisje Lokale dhe Media ka bërë në Projektligjin e Pagave në të cilin, pushteti i tretë dhe i barabartë sipas Kushtetutës së vendit, sistemi gjyqësor dhe ai prokurorial, janë cenuar ndjeshëm.
“Rekomandimet e Komisionit për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë degraduese. Kjo qasje është në shpërputhje të plotë me përpjekjet e vazhdueshme të institucioneve tona për fuqizimin e Sundimit të Ligjit. Gjyqtarët dhe prokurorët, që mbajnë mbi supe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, meritojnë një pagë të dinjitetshme. Por, ajo që është propozuar përmes Projektligjit paraqet një devalvim të thellë të kësaj perspektive”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
Tahiri ka thënë se përkundër përpjekjeve të vazhdueshme për ta bërë sundimin e ligjit dhe të gjitha komponentët e tij, përfshirë statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, një prioritet kombëtar jashtëzakonisht të nevojshëm, rekomandimi i Komisionit përmes Projektligjit të Pagave është një goditje e rëndë ndaj këtyre përpjekjeve.
“Ftoj deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të mos mbështesin rekomandimet e Komisionit, sepse parametrat e propozuara për gjyqësorin paraqesin degradim të sistemit të drejtësisë”, ka shkruar Tahiri.