Tahiri: Rezultati i kësaj qeverie: ikje e të rinjve, mungesë investimesh e mungesë zhvillimi

05 janar 2023 | 12:48

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se në vitin 2023 kemi hyrë me pasoja të retorikës së kryeministrit Kurti gjatë 2022-s.

Ai ka theksuar se përderisa në Ukrainë luftohej agresioni rus, në Kosovë flitej për luftë nga kryeministri i vendit.

Sipas Tahiti, nga kjo qeveri kemi këtë rezultati: ikje e të rinjve, mungesë investimesh, mungesë zhvillimi dhe mungesë perspektive.

“Nga një histori suksesi e ngritjes së një shteti modern, me retorikën e kryeministrit gjatë 2022-s, jemi rikthyer në lajme ndërkombëtare si një vend jo stabil e me rrezik për konflikte. Ta mendosh se çfarë dëmi i ka bërë kjo Kosovës, do të thotë të kesh në mendje tre parametra: Cili investitor i huaj do të rrezikonte të investonte në një vend, kryeministri i të cilit flet për luftën që na kanoset? Si mund të shpresojnë në perspektivë, të rinjtë e një vendi që qeveriset me një kryeministër të tillë? Çfarë e ardhmeje ekonomike e pret një vend, kryeministri i të cilit, vizionin e vetëm e ka përballjen me luftën e tij?”, ka shkruar Tahiri në “Facebook”.

Ai ka thënë se në fakt, lufta ka qenë tema qendrore dhe preteksti në kokën e kryeministrit, i cili, përmes saj ka abstenuar që t’iu përgjigjet betejave të përditshme sociale dhe ekonomike me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës. “Rezultati: ikje e të rinjve, mungesë investimesh, mungesë zhvillimi, mungesë perspektive. Vit i ri, me pasoja të një mentaliteti të vjetër”, ka shkruar Tahiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Vatikan, përmes një ceremonie kishtare, është varrosur Papa Benedikti…