![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2018/02/Besnik-Tahiri-1.jpg)
Tahiri: Ristrukturimi i kabinetit qeveritar duhet të bëhet me miratimin e Projektligjit për Qeverinë
Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se vendimet e fundit të Qeverisë Kurti përkundër që në opinion mund të shihen si nevojë e shkëputjes nga trendët negative, megjithatë kjo rrezikon të kthehet në një praktikë që në esencë e minon përkushtimin shumëvjeçar të institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë për reforma në Administratë Publike.
“Zvogëlimi i ministrive dhe ristrukturimi i tyre është domosdoshmëri, megjithatë një qasje e ngutshme në mungesë të procedurave dhe legjislacionit adekuat, devijon fokusin nga reformat sistematike. Vendimet arbitrare dhe politike mund të sjellin pasoja afatgjate dhe pasiguri për korpusin e shërbyeseve civilë, ku rrezikohet edhe vazhdimësia dhe memoria institucionale. Vendimet për ristrukturim, me paqartësi për pozicionet e larta drejtuese mund të kthehet në praktika të rrezikshme për shërbimin civil dhe zyrtarët e lartë publikë”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se në esencë, ristrukturimi duhet të bazohet në procedura të qarta dhe që shkojnë në linjë me parimet e vendosura në procesin e reformës.
“Parime të promovuara nga BE, e të ofruara nga kontributi i SIGMA-së, në procesin e reformës. Në funksion të kësaj, një qasje koherente ndaj reformës dhe përmbyllja e saj e plotë me ristrukturim të kabinetit qeveritar, duhet të ndiqet me procedura të qarta, me miratimin e Projektligjit për Qeverinë dhe me zbatimin e tri Ligjeve të Pakos së reformave në administratën e shtetit”, ka shkruar Besnik Tahiri.
/Epoka e re/