Tahiri: Rritja e numrit të gjyqtarëve para procesit të Vetingut
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri në debatin e iniciuar nga deputetja Shqipe Pantina për krimin e organizuar dhe korrupsionin tha në Kuvendin e Kosovës se vetingu është shumë i rëndësishëm por që tani nuk është zgjidhje për Kosovën. Sipas tij një herë do të duhej të rritej numri i gjyqtarëve.
“Vetingu nuk mendoj që është zgjidhje për Republikën e Kosovën, ne duhet të rrisim numrin e gjyqtarëve, kemi më së paku në rajon, zgjidhje kemi 125 gjyqtarë në 100 mijë banorë e Maqedonia ka 135 gjyqtarë për 100 mijë banorë”, ka theksuar Abelard Tahiri.
Ministri ka theksuar që pas kalimit të Demarkacionit është krijuar një momentum i ri.
“Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar është një sfidë e përhershme që do të vazhdojë edhe pas liberalizimit të vizave”, ka thënë ministri Tahiri.
Abelard Tahiri ka folur edhe për arritjet e ministrisë sa i përket legjislacionit për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Masat e ndërmarra nga ministria për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar janë adresuar në tri perspektiva. Në adresimin e obligimeve ka pasur disa kërkesa dhe rekomandime ndaj të cilave nuk kam qëndruar indiferent, fuqizimi i gjyqësorit, është hartuar pakoja e ligjore. Një indikator tjetër i vullnetit tonë është edhe rritja e buxhetit për KPK-në dhe KGJK-në. Është duke u punuar për hartimin e projektligjit për procedurën penale”, ka potencuar Tahiri.
Ai ka shtuar se ka pasur vëmendje edhe ndaj Agjencisë Kundër Korrupsionit si dhe deklarimin dhe origjinën e pasurisë dhe mbrojtjen e informatorëve.
“Te pako e lartpërmendur Kundër Korrupsionit është duke u rishikuar mandati i Agjencisë. Kemi nevojë për ndryshime të mëdha, ku kemi mbi 1000 asamblistë të cilët e deklarojnë pasurinë e në disa institucione të tjera që nuk e deklarojnë pasurinë e që do të duhej të ishte e kundërta”, ka thënë ministri.
Tahiri ka thënë se për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë, janë krijuar grupet punuese.
“Jemi duke punuar për draftin final. Mesazh i fuqishëm është dërguar te të gjithë mekanizmat për rrugën tonë drejt integrimit evropian”, ka përfunduar ministri Tahiri.