Tahiri: Serbia punon ditë e natë ta godasë Kosovën, duhet ta bëjmë punën tonë
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Besnik Tahiri, ka kritikuar Ministrinë e Punëve të Jashtme se nuk ka punuar sa duhet për anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës.
Ai në një konferencë për medie të dielën ka thënë se Qeveria Kurti është dashur të dokumentojë sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë dhe të kërkojë arrestimin e autorit të këtij sulmi MIlan Radojçiq, i cili vazhdon të qëndrojë i lirë në Serbi.
Shefja e diplomacisë, Donika Gërvalla ka shfaqur bindjen e saj se gjatë këtij Kosova do të anëtarësohet në Këshillin e Evropës. Ajo gjatë Forumit të Dubrovnikut, ka deklaruar se po punojnë me ministra e ambasadorë në KiE që anëtarësimi të ndodhë këtë vit.
Kosova ka mbetur jashtë agjendës në takimin e Këshillit të Ministrave më 17 maj 2024 pasi një pjesë e vendeve anëtare të Këshillit të Evropës kërkuan që Kosova të hedhë hapa drejt themelimit të asociacionit.
Kosova është lënë jashtë Këshillit të Evropës, për faktin që Qeveria e Kosovës nuk e dërgoi për shqyrtim në Kushtetuese një draft statut të BE-së për themelimin e asociacionit.
Një letër zotimi Kosova e dërgoi një ditë më herët në KiE, ku thuhej se Kosova do ta hartojë deri në fund të muajit maj një draft-statut për asociacionin, por kjo nuk gjeti mbështetje nga mekanizmat ndërkombëtarë.
Kosova ka një vit ka aplikuar për anëtarësim në KiE. Më 16 prill 2024, Asambleja Parlamentare e KiE mbështeti raportin e Dora Bakoyannis, që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Por, vendet kryesore evropiane e kushtëzuan votimin me themelimin të asociacionit për të cilin Gjykata Kushtetuese në vitin 2015 konsideroi se nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.