Tahiri: Serbisë nuk i ka pëlqyer përgjigjja e KFOR-it, përndryshe do të ngutej ta bënte publike
Përfaqësuesit e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë kanë marrë nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) përgjigjen ndaj kërkesës për dërgimin në Kosovë të deri 1.000 ushtarëve dhe policëve nga Serbia.
Përgjigjja është marrë nga përfaqësuesit e Komisionit për zbatimin e Marrëveshjes teknike ushtarake, të premten, më 6 janar, në pikën kufitare Merdar, ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.
Kjo ministri nuk ka specifikuar se çfarë i është përgjigjur KFOR-i ndaj kërkesës së Serbisë, por ka thënë se dokumenti i është dorëzuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ish-kryenegociatorja në bisedimet Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, ka shkruar në “Facebook” se Serbisë nuk i ka pëlqyer përgjigja e KFOR-it, përndryshe do të ngutej ta bëjë publike.
“Serbisë nuk i ka pëlqyer përgjigja e KFOR-it, përndryshe do të ngutej ta bëjë publike”, ka shkruar Tahiri.
Ushtria e Serbisë, natën mes 15 dhe 16 dhjetorit të vitit të kaluar, i ka dërguar një e-mail zyrës së KFOR-it, me kërkesë për dërgimin e deri në 1000 pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë.