Tahiri: S’guxojmë që zbardhja e fatit të të zhdukurve të përdoret për dakordime formale
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar angazhim më të madh të institucioneve në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, Tahiri ka thënë se Kosova nuk guxon që zbardhja e fatit të këtyre personave të përdor për dakordime formale.
Tahiri ka shkruar në “Facebook” se në këtë proces Kosova ka humbur kohë, kurse Serbia e fituar kohë për rehabilitim.
“Si shoqëri e institucione, nuk guxojmë që ky të jetë rezultati. Nuk guxojmë që zbardhja e fatit të të zhdukurve të përdoret për dakordime formale, e tregtime me afate në dialog, pa asnjë epilog. Kosova humbi kohë, Serbia e fitoi atë për rehabilitim, harresë dhe për fshehjen e krimeve, pas të cilave fshihen mijëra kriminelë që jetojnë të lirë në Serbi e rajon”, ka shkruar Tahiri.
Ai ka bërë me dije se qeveria Kurti ka ardhur në pushtet me premtimin se do të bëj më shumë për familjet e të zhdukurve.
“Sot, është Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve. Po bëhen 24 vjet, e brezat janë ende në pritje të zbardhet fati i tyre. Dhimbja është e padurueshme, sidomos për ata që tashmë po kanë më pak shpresë se do të mësohet diçka. Kjo qeveri erdhi me premtime, për të bërë diçka më shumë për ato mijëra familje, që kurrë nuk gjetën paqe për fatin e tyre. Kjo qeveri erdhi me premtime programore, e mijëra grafite rrugëve e shesheve për të zhdukurit. Ajo çfarë sot po bënë xhiro, janë vetëm grafitet fashiste në Serbi, ku bëhet thirrje për vrasje të shqiptarëve e për një luftë të re”, ka shkruar Tahiri.