Tahiri: Shkarkimi i ambasadorit Berishajt rrezikon t’i tërheqë pas vetes edhe Kurtin dhe Osmanin
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se afera sipas tij në përmasa milionëshe e ambasadorit Martin Berishaj duhet të hetohet nga një task forcë me prokurorë dhe hetues më të mirët që ka sistemi i drejtësisë në Kosovë.
Përmes një postimi në “Facebook”, Tahiri ka thënë se faktet e reja të publikuara në media për skandalin e Martin Berishajt duhet të hetohen në një formë të pavarur.
Më tutje, Tahiri ka thënë se shkarkimi i Berishajt nuk është më alternativë dhe se kjo duhet të ndodh sa më shpejt.
Madje, ai ka thënë se ekziston rreziku që ambasadori me veprimet e tij të shkaktojë edhe rënien nga pushteti të presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti.
“Faktet e reja të publikuara në mediat tona për përmasat milionëshe të aferës së Martin Berishajt dhe implikimet e financimit nga mafia energjetike të fushatave zgjedhore, që në Kosovë kanë prodhuar një kryeministër dhe një presidente, duhet të hetohen nga një trup special apo një Task Forcë me prokurorët e hetuesit më të mirë që i ka Kosova, e ngarkuar ekskluzivisht me këtë qëllim. Natyrisht, shkarkimi i Ambasadorit Berishaj nuk është më çështje opsionale, përveç nëse ai, siç edhe po duket, rrezikon t’i tërheqë pas vetës edhe kryeministrin edhe presidenten”, ka shkruar Tahiri.