Tahiri: Shkëlqimi kombëtar i Sali Berishës është i paprekshëm, mbetet lider historik
Ish-kryengeociatorja në dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri ka reaguar pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë shpallur ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha si person “non grata”.
Tahiri në reagimin e bërë ka thënë se shkëlqimi kombëtar i Sali Berishës është i paprekshëm.
“Ai mbetet një lider historik i kombit shqiptar sepse vuri kombin mbi të gjitha. Udhëhoqi me vizion dhe vendosmëri drejt Shqipërisë demokratike dhe euro-atlantike dhe aleancës strategjike me Amerikën, duke bërë kthesën historike nga komunizmi në demokraci”, thotë ajo.
Tutje ajo ka shkruar se Sali Berisha solli lirinë për popullin duke i dhënë fund totalitarizmit që kishte pllakosur Shqipërinë për dekada.
“Por mbi të gjitha Sali Berisha mbrojti dhe avancoi interesat kombëtare duke i dhënë mbështetje gjysmës tjetër të kombit të mbetur padrejtësisht nën dominimet e huaja. Njohja e hershme e pavarësisë së Kosovës dhe mbështetja e vazhdueshme për luftën tonë për liri e pavarësi ka qenë një shtyllë e fortë për neve udhëheqësit e pavarësisë së Kosovës”, ka deklaruar Tahiri.
Më tej, ajo thotë se “Askush nuk mund të cenoj atdhetarinë e Sali Berishës”.
“Nuk ka lider pa gabime, por liderët që shkruajnë historinë e kombit mbeten në faqen ndritshme të historisë”.