
Tahiri: Shtimi i pranisë së EULEX-it rrezikon ta kthejë veriun në protektorat
Ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedime me Serbinë, Edita Tahiri, ka kërkuar shpjegime nga Qeveria e Kosovës për shtimin e prezencës së EULEX-it në veri të vendit.
Ajo ka shkruar në “Facebook” se shtimi i kësaj prezence mund ta kthej veriun e vendit në protektorat.
“Shtimi i prezencës së EULEX-it në veri i shërben qetësisë dhe sigurisë, mirëpo kjo rrezikon ta kthej në protektorat veriun, të cilin e synon Serbia. Qeveria duhet të jap shpjegime si u rrit prezenca e EULEX-it në veri. A u kërkua leje nga qeveria, apo ndoshta kjo qeveri kaq lehtë dorëzon sovranitetin në veri të cilin e arritëm me shumë mund përmes dialogut të Brukselit. Ne qeveritë e kaluara e shtrimë sovranitetin në veri, vendosem policinë shtetërore në veri dhe kufirin verior, vendosem institucionet e drejtësisë dhe të tjera, ndërsa i shuam strukturat paralele serbe. Është urgjente të mbrohet veriu dhe t’i rikthehet sovraniteti shtetit të Kosovës në veri”, ka thënë Tahiri.