Tahiri: Sistemi i drejtësisë ka nevojë për themelimin e një gjykate të re komerciale
Mnistri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë për gazetën “Epoka e re”, se në Kosovë ka nevojë të themelohet një gjykatë e re komerciale e cila do të merrej ekskluzivisht me lëndët e natyrës ekonomike.
“Çështja e akumulimit te lëndëve dhe kapaciteteve të pamjaftueshme s’është temë e re brenda sistemit të drejtësisë, por të reja janë iniciativat tona për t’iu dhënë një epilog racional këtyre problemeve me të cilat ende vazhdojnë të ballafaqohen qytetarët në përgjithësi dhe bizneset në veçanti. Një numër i madh lëndësh vazhdon të qarkullojnë nëpër gjykatat tona, e ndër to, numri i lëndëve të pazgjidhura ka qenë mjaft domethënës veçmas në Departamentin për trajtimin e lëndëve të karakterit komercial, si në Gjykatën Themelore të Prishtinës ashtu edhe në Gjykatën e Apelit”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se në kuptimin e përgjithshëm, vitin e kaluar kanë stimuluar rritjen e buxhetit për Këshillin Gjyqësor, pikërisht për t’i dhënë mundësi rritjes së numrit të stafit gjyqësor për të ndikuar kështu edhe në përshpejtimin e trajtimit të këtyre lëndëve.
“Në anën tjetër, çështjen e akukumimit të lëndëve e kemi trajtuar me prioritet në kuadër të Agjendës “Drejtësia 2020”, ku për një periudhë të shkurtë kohore pritet që lëndët e pazgjidhura me vite, përfshirë ato që kanë për subjekt sferën e biznesit, do të zgjidhen shumë shpejt. Por, si Ministër i Drejtësisë, kam pasur një fokus dhe vazhdoj të besoj se Republika e Kosovës dhe sistemi ynë i drejtësisë ka nevojë për themelimin e një Gjykate të re komerciale, e cila do të trajtonte ekskluzivisht lëndët e kësaj natyre. Në kuadër të procesit të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, një shtyllë e tërë i është kushtuar hulumtimit të alternativave që do ishin të përshtatshme për ne si vend që të ndërmarrim një hap të tillë. Si shtet i hapur për investime të huaja dhe si shtet ku biznesi privat është gjeneruesi më i madh i punë zënies dhe taksave që derdhen në buxhetin e shtetit, besoj se është koha e duhur që kësaj kategorie t’iu krijojmë një ambient më efikas për trajtimin e lëndëve të tyre”, ka thënë pos tjerash Tahiri.
Ai më tutje ka shtuar se janë në proces të hartimit të Strategjisë për Sektorin e Rendit dhe Ligjit.
“Jemi në proces e sipër të hartimit të Strategjisë për Sektorin e Rendit dhe Ligjit dhe në kuadër të rekomandimeve të saj, do shtrojmë përpara argumentet që flasin në dobi të krijimit të një gjykate të tillë.
Në përputhje me këtë ide kanë qenë edhe bizneset e të gjitha rajoneve të Kosovës me të cilët kam zhvilluar takime të shpeshta dhe Odave ekonomike që operojnë në Kosovë. Në anën tjetër, për t’i kontribuar kësaj klime, kemi ndryshuar dhe jemi duke ndryshuar legjislacionin në segmente të rëndësishme, siç është inkuadrimi i ndërmjetësimit si pjesë integrale e profesioneve të lira ligjore, ku krahas përmbaruesve, noterëve dhe administratorëve falimentues, edhe ndërmjetësuesit do jenë aset shtesë për qasjen më të shpejtë në drejtësi.
Po ashtu, për herë të parë jemi duke u bërë me Kod Civil dhe ligje tjera që derivojnë nga pakoja e të Drejtave Pronësore, që do të arrijnë një efekt shumë pozitiv në klimën e të bërit biznes në Republikën e Kosovës”, është shprehur ministri Tahiri.
/Epoka e re/Albulena MAVRAJ