Tahiri do ta përfaqësojë Kosovën në LOD PyeongChang 2018
Kosova do të debutojë në Lojërat Olimpike Dimërore “PyeongChang 2018”, të cilat do të mbahen prej 9-25 shkurtit 2018 në Korenë e Jugut.
Ekipin olimpik të Kosovës do ta përfaqësojë skitari Albin Tahiri, i cili ka fituar normën olimpike në pesë disiplina të skijimit alpik: sllallom, sllallom i madh, super sllallom i madh, lëshim i shpejtë dhe kombinim alpik. Asnjëri nga skitarët e tjerë që ishin kandidatë të mundshëm, pavarësisht prej dhënies së maksimumit në garat e fundit, nuk kanë arritur ta fitojnë normën olimpike A, e cila mundëson pjesëmarrjen në LOD PyeongChang 2018. 28-vjeçari i lindur në Slloveni do ta bartë flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse (9 shkurt) dhe atë mbyllëse (25 shkurt). Ekipi olimpik i Kosovës do të udhëtojë për në PyeongChang më 5 shkurt.