Tahiri takon koordinatoren e Agjencive të OKB-së për Zhvillim
Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri, ka takuar sot koordinatoren e Agjencive të OKB-së për Zhvillim, Ulrike Richardson, me të cilën ka diskutuar çështjet kryesore të bashkëpunimit gjatë këtij viti.
“U dakorduam që bashkërisht të lansojmë një proces të dialogut të politikave ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe partnerëve zhvillimorë. Kjo do të nënkuptonte diskutimin e politikave në një formë më koherente dhe ndër-sektoriale. Gjithashtu, u pajtuam për vazhdimin e bashkëpunimit me Agjencitë e OKB-së në integrimin dhe lokalizimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm në kuadër të dokumenteve të ndryshme të politikave dhe strategjive, duke mundësuar kështu përfshirjen e mëtutjeshme të Kosovës në këtë agjendë të rëndësishme globale”, ka shkruar Tahiri në profilin e tij në “Facebook”.