Tahiri: Të gjithë duhet të jemi me Thaçin në Hagë dhe Hotin në Bruksel
Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Tahiri, ka thënë se secili shqiptar që frymon dhe mendon shqip, sot është me presidentin Hashim Thaçi në Hagë, për shkak se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë luftë e drejtë dhe saktësisht dihet kush është viktima dhe kush është agresori.
“Dhe secili prej nesh është 100% në vijë me këtë”, ka thënë Tahiri për “Radio 1”.
Tahiri ka theksuar se të gjithë duhet të jemi me Thaçin në Hagë dhe Hotin në Bruksel.
“Avdullah Hoti nuk ka shkuar për qejf në Bruksel, nuk është atje se ka pasur një udhëtim të qejfit, por ka pasur detyrë dhe obligim që buron nga Kushtetuta e Kosovës dhe po ashtu prej përkushtimit të Kosovës për një dialog”.
“Në secilin moment që Kosova i ka ikur tavolinës ka humbur. Po ashtu, të gjithë ata që frymojnë dhe mendojnë shqip janë me përfaqësuesin legjitim të këtij populli që është në Bruksel, pra me z. Avdullah Hoti”, ka deklaruar Tahiri.
“Pra, janë dy procese të ndara: kë e përfaqëson; si e përfaqëson. Këto janë dy tema politike që duhet të trajtohen. Secila tendencë për t’i dobësuar, z. Thaçi në Hagë e z. Hoti në Bruksel, është dëmtim drejtpërdrejt i interesit kombëtar shqiptar të Republikës së Kosovës”, ka pohuar Tahiri.