Tahiri: Thaçi dhe Veseli janë themelues të UÇK-së e cila frenoi gjenocidin e Serbisë
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe liderit të PDK-së, Hashim Thaçi nga ana e prokurorit të Gjykatës Speciale.
Ai ka thënë se Thaçi dhe Veseli janë krejtësisht njerëz të zakonshëm, por me emrat dhe veprat e tyre lidhet e merr formë kauza kombëtare për çlirim përfundimtar nga pushtimi i Beogradit, raporton “Epoka e re”.
“Hashim Thaçi e Kadri Veseli dhe mijëra bashkëluftëtarë që u rreshtuan me ta për çlirim e pavarësi, janë e do jenë të palëkundur në materializimin e plotë të Republikës së Kosovës, ëndrrës së përjetshme të dhjetëra brezave”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Tahirit:
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli janë themelues të Ushtrisë Çlirimtare e cila me luftë të drejtë, frenoi gjenocidin e Serbisë dhe vendosi Kosovën në trajektoren e pandalshme drejt lirisë e shtetformimit.
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli janë krejtësisht njerëz të zakonshëm por me emrat dhe veprat e tyre lidhet e merr formë kauza kombëtare për çlirim përfundimtar nga pushtimi i Beogradit.
Këtë përmasë nuk ua zhbën dot as Moska, as Beogradi dhe as sponzoruesit e protagonizmit.
Hashim Thaçi e Kadri Veseli dhe mijëra bashkëluftëtarë që u rreshtuan me ta për çlirim e pavarësi, janë e do jenë të palëkundur në materializimin e plotë të Republikës së Kosovës, ëndrrës së përjetshme të dhjetëra brezave.
Protagonizmi i padrejtësisë me “drejtësi politike” nuk do ta ndalë Kosovën dhe çlirimtarët e saj për ta jetësuar këtë ëndërr, përkundër armiqve e përkundër sponzoruesve të tyre.
Pra, ajo çfarë ka nisur nga një mercenar i paguar nga Rusia e i furnizuar nga Beogradi, tashmë po merr vulë nga “pseudodrejtësia” e sponzoruar nga Bashkimi Evropian. Nuk është habia me suksesin e Moskës e Beogradit për t’i shitur aty ku blihen e shiten si të vërteta, gënjeshtrat e sheshta, por habia është me një drejtësi të këtillë që këtyre fabrikimeve iu jep peshë e i merr në konsideratë.