Tahiri thotë se Kuvendi është bllokuar: Qeveria ka probleme me menaxhim
Shefi i grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se Kuvendi tash e sa muaj është i bllokuar.
Ai ka thënë se ka shumë ligje të rëndësishme që presin të trajtohen e që për shkak të mungesës së kuorumit nuk po arrihet të procedohet tutje. Tahiri pas dështimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka thënë se nga mosmbajtja e seancave janë grumbulluar afër 40 pika të rendit të ditës, e që sipas tij, për trajtimin e tyre duhen të paktën 4 ditë.
Tahiri ka thënë se kjo nënkupton që shumica parlamentare, koalicioni qeverisës kanë probleme serioze me menaxhimin e përgjegjësive që kanë marr, si në Kuvend, po ashtu edhe në qeveri.
“Edhe sot dështoi mbledhja e Kryesisë së Kuvendit. Në historinë e jetës parlamentare nuk mbahet mend që një shumicë të ketë mbi 61 vota, ndërsa tash pesë mbledhje të Kryesisë të dështojnë dhe para jush të kemi 37 pika të rendit të ditës të cilat duhet të shqyrtohen në Kuvend dhe si rrjedhojë kryetari i Kuvendit të merr vendim të thërret seancë të enjten në ora 10:00”, ka thënë Tahiri.
Më tutje, ai ka folur në lidhje me Ligjin për pagat në sektorin publik. Ai ka thënë se miratimi i këtij ligji është shumë i rëndësishëm për vendin sidomos në këtë kohë kur janë rritur çmimet e konsumit.