Tahiri ‘thumbon’ Kurtin për fusnotën: Nga e thënë në të bërë qëndron një mal i tërë
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka folur para gazetarëve pas mbledhje së Kryesisë së Kuvendit ka komentuar përfaqësimin e kryeministrit Kurti dje me fusnotë të Kosovës në takimin e Këshillit për Stabilizim-Asociim në Bruksel.
Tahiri ka thënë se Kurti e kishte kundërshtuar fusnotën, por tani as nuk e ka ngritur si shqetësim.
“Ne nuk kemi parë asgjë të re vetëm se Kurti në vazhdimësi po vepron në kundërshti me atë që ka premtuar. Kryeministri Kurti sa ishte në opozitë e kishte kundërshtuar fusnotën, kurse tash nuk e pamë se e ka ngritur si shqetësim në BE që Kosova të përfaqësohet pa fusnotë dhe ka vazhduar siç kanë vazhduar kryeministrat e tjerë. Kur e gjykojmë sot nga e thëna në të bërë për zotin Kurti si duket qëndron një mal i tërë”, ka thënë Tahiri.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar që të ulet dje në një tavolinë në Bruksel ku përpara tij, në një tabelë të bardhë, shkruhej me të zezë emri i Kosovës me fusnotë. Kjo gjë ka nxitur edhe reagime e raportime në media, meqë para 9 vjetësh, vetë Kurti si opozitar e kishte konsideruar fusnotën si tradhti ndaj shtetit të Kosovës që kishte shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008.