Tahiri: Vendimi i Gjykatës i drejtë
Ekipi negociator i bisedimeve me Serbinë arriti ta gëzojë këtë epitet për vetëm gjashtë muaj, pasi ditë më parë u shpall antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Nga sezoni i dimrit, kur u formua e deri në fillim të verës sa kanë funksionuar, negociatorët kanë arritur t’i zhvillojnë vetëm tri takime, ndërsa i kanë shpenzuar mbi 40 mijë euro nga buxheti i Kosovës, shkruan gazeta “Zëri”.
Gjersa ka folur rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Delegacionin, ish-kryenegociataorja e dialogut Edita Tahiri ka thënë për “Zërin” se është shumë shqetësues fakti që ekipi negociator ka marrë detyrë të zhvillojë bisedime me Serbinë duke mos pasur dijeni të mjaftueshme për Kushtetutën e Kosovës.
“Mendoj se është bërë mirë që Gjykata Kushtetuese i shpalli antikushtetues këta njerëz në ekip, sepse do ta kishin marrë në qafë Kosovë. Dialogu me Serbinë kërkon njerëz të përgatitur jashtëzakonisht mirë”, ka deklaruar ajo.