Tahiri: Veriu dhe Lugina e Preshevës janë toka shqiptare, s’mund të shkëmbehen
Ish-ministrja e Dialogut, Edita Tahiri, ka thënë se shqiptarët mund të bëhen bashkë me një shtet duke forcuar sundimin e ligjit dhe ekonominë, e jo duke dhënë toka shqiptare.
Ajo ka theksuar se veriu i Kosovës dhe Lugina e Preshevës janë toka shqiptare dhe si të tilla nuk mund të shkëmbehen.
“Shqiptarët bëhen krejt me një shtet, kur forcojmë ekonominë dhe sundimin e ligjit, dhe jo duke dhënë toka shqiptare. Edhe veriu i Kosovës edhe Lugina e Preshevës janë toka shqiptare, nuk mund të shkëmbehen”, u është përgjigjur Tahiri komenteve të lexuesve në profilin e saj në “Facebook”.
Më tutje ajo ka deklaruar se falë dialogu të zhvilluar me Serbinë është arritur shuarja e strukturave paralele në veri si dhe është vendosur sovranitetit i shtetit të Kosovës.
“Me dialogun e Brukselit të cilin e kam udhëheqë unë kemi arritur sukses që në pjesën veriore të Kosovës të vendosim sovranitetin e shtetit të Kosovës, të veprojnë ligjet dhe institucionet e Kosovës, ndërsa janë shuar strukturat paralele serbe. Mos harroni se në veri janë Trepça, miniera më pasur në Evropë, resurset e ujit/Ujamani etj, që janë fuqi gjeopolitike e Kosovës. Për këto pasuri natyrore, Serbia ka mbajtur Kosovën të kolonizuar 100 vjet për t’i shfrytëzuar pasuritë tona. Ne vitin 1999 e dëbuam Serbinë, dhe këto pasuri tashmë janë në shërbim të zhvillimit ekonomik të Kosovës. E paskit harruar thënien e popullit dhe minatorëve ‘Trepça punon, Beogradi ndërtohet’”, ka theksuar Tahiri.
/Epoka e re/