Tahiri: Vetëvendosje nuk mund të jetë pjesë e asnjë procesi në Kosovë
Anëtari i kryesisë së PDK-së, Aberald Tahiri, njëherësh edhe Ministër i Drejtësisë, në emisionin “Frontal” në “T7”, ka folur për seancën që do të mbahet nesër në Kuvend për korrigjimin e kufijve.
Ai ka thënë se nuk do të diskutohet për pjesën hapësirën territoriale të Kosovës. Po ashtu ai ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk mund të jetë pjesë e bisedimeve me Serbinë por as pjesë e ndonjë procesi në Kosovë, pasi është vetëm pengesë.
Tahiri ka thënë se vijat e kuqe në bisedimet e Kosovës me Serbinë janë caktuar kohë më parë, sipas të cilave në bisedime nuk do të diskutohet për shtetësinë e Kosovës dhe për hapësirën territoriale të saj.
Po ashtu, Tahiri e ka shprehur qëndrimin e tij ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe rolit të saj në skenën politike të Kosovës, duke thënë se Vetëvendosje është munduar që ti pengojë të gjitha proceset e rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar Kosova.
“Unë mendoj që Vetëvendosje nuk duhet të jetë pjesë e dialogut me Serbinë, sepse është thjesht një pengesë. Ky subjekt politik është munduar t’i minojë të gjitha proceset e rëndësishme në të cilat ka kaluar Kosova. Janë munduar në çdo mënyrë ta nxjerrin shtetin e Kosovës si të dështuar. Kjo parti ka qenë kundër shtetësisë së Kosovës dhe simboleve të saj, prandaj nuk e meriton të jetë në asnjë rrethanë pjesë e asnjë ekipi që do të diskutonte për Republikën e Kosovës”, është shprehur Tahiri.