Tahiri viziton Thaçin në Hagë: Pashë shpresë, optimizëm dhe kurajo të jashtëzakonshme
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka njoftuar se ka vizituar ish-presidentin Hashim Thaçi në Hagë.
Tahiri ka thënë se gjatë bisedës me Thaçin ka parë shpresë, optimizëm dhe kurajo të jashtëzakonshme.
Në këtë kontekst, Tahiri ka thënë se muret në Hagë “nuk janë vendqëndrim, por vendkalim”.
“Shpresë, optimizëm dhe një kurajo e jashtëzakonshme që ia humb kuptimin mureve rrethuese. Kjo është përshtypja nga vizita që pata sot tek presidenti Thaçi, i cili, si gjithmonë, me karakterin e tij të palëkundur, i jep kuptim sakrificës, devotshmërisë dhe atdhedashurisë për Kosovën. Motivi që e mban atë dhe shokët e tij tejkalon ritmet tona ditore, sepse është i ngritur mbi ritmet e historisë së një kombi liridashës. Prandaj, si çdo herë e më shumë se çdo herë, shpresë, kurajo dhe besim, se këto mure nuk janë vendqëndrim, por vendkalim drejt të vërtetës së plotë, të cilën qytetarët e Kosovës presin të shpaloset shpejt, teksa i mirëpret si çlirimtarë, Hashim Thaçin dhe shokët e tij”, ka shkruar Tahiri në “Facebook”.