Tahiri: Vuçiqi ka marrë rolin e gjykatësit dhe prokurorit në rastin e Ivanoviqit

04 korrik 2019 | 14:57

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka reaguar pas deklaratës së presidentit serb, Aleksandër Vuçiq rreth hetimeve për rastin e vrasjes së politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq.

Tahiri në një reagim publik ka thënë se është për keqardhje se si presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka marrë rolin e gjykatësit, prokurorit, hetuesit dhe secilin rol tjetër që atij i nevojitet, në përpjekje e sipër për ta fshehur të vërtetën rreth rastit të Ivanoviqit.

Reagimi i plotë i Tahirit:

Është për keqardhje që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka marrë rolin e gjykatësit, prokurorit, hetuesit dhe secilin rol tjetër që atij i nevojitet, në përpjekje e sipër për ta fshehur të vërtetën, kurdo që ajo afrohet të dalë në pah.

Abuzimi kaq i madh me pushtetin e tij arbitrar mbi mediet, mbi prokurorinë, gjyqësorin dhe policinë e Serbisë në tendencën për të fshehur gjurmët e krimit në rastin e vrasjes së politikanit serb nga Kosova, z. Ivanoviq, është dëshmi e panikut që e ka kapluar mbi potencialin që ka e vërteta faktike.

Republika e Kosovës ka qenë e hapur për bashkëpunim me organet e zbatimit të ligjit të Serbisë për çështjen në fjalë dhe ky bashkëpunim është ndërprerë sapo janë theksuar qartë pistat e dyshimit të bazuar mbi autorin/autorët e këtij krimi që i mori jetën shtetasit tonë, z. Ivanoviq.

Deklarimi i fundit i Vuçiqit në media rreth kësaj çështje, është deklarim tërësisht politik, mbi një fushë për të cilën ai nuk e ka asnjë kompetencë. Të vetmet janë organet e zbatimit të ligjit ato që hetojnë dhe nxjerrin përfundime mbi pistat e dyshuara, mbi bazën e provave që janë nxjerrë rreth këtij rasti. Dhe një adresë e tillë tashmë ekziston.

Dëshiroj t’i siguroj qytetarët e Republikës së Kosovës pa përjashtim, se institucionet e Republikës së Kosovës do të jenë të përkushtuara në mënyrë të pa kompromis deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti.

I bëj thirrje presidentit Vuçiq që të shkëpusë traditën e regjimit serb të mbulimit të krimeve, sepse e drejta dhe drejtësia janë të vërteta në natyrën e tyre dhe të njëjtat tejkalojnë secilin regjim, sot apo në të ardhmen.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i nëndegës së Nismës Socialdemokrate në fshatin Llashticë të…