Tahiri: Zëvendësministrave t’u hiqet e drejta e votës në mbledhjet e qeverisë
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka bërë me dije se në Komisionin për Administratë Publike kanë diskutuar për Projektligjin për Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Ai ka treguar se ky draftligj përmban strukturën dhe në përgjithësi përmbajtjen që ai ka dorëzuar në qeveri dhe në Komisionin e Venecias.
“Shtrova kërkesat për ndryshim që lidhet me llogaridhënie dhe transparencë në afate kohore, si dhe largimin e nenit që e lejon votimin e zëvendësministrave në mbledhjet e qeverisë, pasi që kjo është anti kushtetuese.
Tahiri gjithashtu ka bërë me dije se rregullorja e re e Punës së Kuvendit u përfundua.
“Kjo rregullore, për 10 vjet rresht nuk ka arritur të miratohet. Rregullorja e re forcon llogaridhënien në dy nivele: në raport me funksionimin e Kuvendit dhe trupave të tij; dhe në rritjen e llogaridhënies së institucioneve/agjencive të pavarura karshi Kuvendit”, ka deklaruar Tahiri.