Tahirit i zgjatet hetimi, Prokuroria pret dosje nga Italia e Greqia
Tre muaj pasi morën kohë shtesë për hetimet ndaj dosjes “Habilaj – Tahiri”, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur sërish kartonin, duke kërkuar zgjatje të afatit hetimor edhe për 90 ditë të tjera.
Shtyrja e hetimeve është firmosur deri më datën 18 qershor, derisa autoritetet e drejtësisë jashtë vendit të kthejnë përgjigje për dy letërporosi, të cilat pretendohet t’i shërbejnë hetimit.
Në pritje të dorëzimit të dy letërporosive, njëra nga Greqia dhe tjetra nga Italia, Prokuroria e Krimeve të Rënda që po heton ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, ka kryer lëvizjen e radhës.
Prokurorët shpresojnë që të marrin nga italianët dhe grekët materiale shtesë që do të hidhnin dritë mbi dyshimet e tyre për çështjen më të bujshme të vitit 2017, e cila nisi nga botimet në media pas goditjes së grupit të Habilajve.