Taip Ramadani merr drejtimin e Australisë
Ish-përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës në hendboll, Taip Ramadani, ka nisur punë të re në hendboll.
Ramadani është emëruar përzgjedhës i Australisë. 49-vjeçari jeton në Australi dhe ka dhënë kontribut të madh për hendbollin në këtë vend. Ramadani vlerësohet lart edhe për punën që e ka bërë te Kosova. Me profesionalizimin e tij ka bërë që të rritet niveli i “dardanëve”.
Ai ka drejtuar Kosovën nga prilli i vitit 2016 e deri në fillim të këtij viti. “Në pamundësi për të udhëtuar nga Australia për shkak të kufizimeve që solli pandemia, Ramadani ka hequr dorë nga posti i përzgjedhësit të Kosovës. Por, rritja e ekipit përfaqësues gjatë kohës së tij ishte shumë e madhe”, thuhet në njoftimin e FHK-së.
Ramadani është prej hendbollistëve më të mëdhenj që ka pasur Australia. Ka luajtur në shumë kampionate botërore, po ashtu në Lojërat Olimpike të vitit 2000. Pjesë e Australisë ishte prej vitit 1993 e deri në vitin 2009. Selektor i Australisë Ramadani ka qenë nga viti 2009 deri në vitin 2013. Si selektor ishte në dy kampionate botërore. Ka udhëhequr edhe shumë skuadra australiane.