Tajvani detekton balona kineze mbi një bazë ajrore
Tri balona kineze kanë fluturuar mbi ishullin e Tajvanit të martën dhe një prej tyre ka fluturuar shumë afër një baze ajrore, tha Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit.
Kjo është hera e parë që autoritetet në Tajvan raportojnë se balonat kineze kanë fluturuar përgjatë ishullit, teksa për herë të parë balonat e Kinës u detektuan në Ngushticën e Tajvanit muajin e kaluar.
Mundësia që Kina të përdorë balonat për spiunazh u shndërrua në çështje botërore shkurtin e vitit 2023, kur Shtetet e Bashkuara rrëzuan atë që e cilësuan si balonë spiunazhi të Kinës. Pekini tha se balona ishte një fluturake civile që aksidentalisht kishte devijuar në hapësirën ajrore amerikane.
Tajvani është në gatishmëri të lartë për shkak të aktiviteteve kineze, si ushtarake ashtu edhe politike, para zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare që do të mbahen në ishullin vetëqeverisës më 13 janar. Kina pretendon se Tajvani është pjesë e territorit të saj.
Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit që nga muaji i kaluar ka raportuar për fluturimin e disa balonave kineze mbi Ngushticën e Tajvanit. Disa prej tyre ka raportuar se kanë hyrë në hapësirën ajrore në veri të ishullit dhe më pas janë zhdukur.
Gjatë përditësimit të informacioneve lidhur me aktivitetet ushtarake të Kinës në 24 orët e fundit, Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit tha më 3 janar se ka detektuar katër balona duke fluturuar mbi Ngushticë, dhe tri prej tyre fluturuan në pjesën qendrore të ishullit.
Ministria tha se tri prej tyre fluturuan 195 kilometra në jugperëndim të Çing Çau Kang, ku gjendet një bazë e rëndësishme ajrore e Tajvanit.
Më pas balonat u zhdukën, shtoi Ministria e Mbrojtjes, e cila paraprakisht kishte deklaruar se beson që balonat e Kinës janë kryesisht për monitorimin e motit.
Të pyetur nëse balonat e fundit të detektuara ishin përdorur për monitorimin e motit apo për ndonjë qëllim tjetër, autoritetet e mbrojtjes në Tajvan refuzuan që të përgjigjeshin.
Në katër vjetët e fundit, Kina ka intensifikuar aktivitetet ushtarake përreth Tajvanit dhe avionët luftarakë të Pekinit dhe luftanijet tani operojnë rregullisht në Ngushticën e Tajvanit.
Tajvani u nda nga Kina gjatë luftës civile më 1949, por Pekini vazhdon të pretendojë se ishulli prej 23 milionë banorësh është territor kinez, duke mos përjashtuar as përdorimin e forcës që ta rimarrë atë. /rel