Tajvani do të vendosë sanksione ndaj Rusisë për ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë

25 shkurt 2022 | 10:48

Ministria e Jashtme e Tajvanit thotë se sanksionet kanë për qëllim të detyrojnë Rusinë “të ndalë agresionin e saj ushtarak dhe të rifillojë dialogun paqësor”.

Tajvani njoftoi sot se do t’u bashkohet sanksioneve ndërkombëtare ndaj Rusisë për ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Me keqardhje që Rusia “zgjodhi të përdorë forcën dhe frikësimin për të ngacmuar të tjerët”, Ministria e Jashtme e ishullit të vetëqeverisur tha: “Me qëllim që të detyrohet Rusia të ndalojë agresionin e saj ushtarak kundër Ukrainës dhe të rifillojë dialogun paqësor midis të gjitha palëve të interesuara sa më shpejt që është e mundur, Tajvani njofton se do t’u bashkohet sanksioneve ekonomike ndërkombëtare kundër Rusisë”.

Tajvani dënon “vendimin e Rusisë për fillimin e luftës dhe pushtimin e territorit ukrainas me forcë” duke e quajtur këtë hap shkelje të Kartës së OKB-së.

“Ky veprim ka rrezikuar paqen dhe stabilitetin rajonal dhe global”, tha ministria, duke shtuar se kjo përbën “kërcënimin dhe sfidën më serioze për rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe sistemin e ligjeve ndërkombëtare që ruajnë dhe mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjitha vendeve”.

Taipei tha se kundërshton “çdo ndryshim të njëanshëm të ‘status quo’-s me forcë ose detyrim dhe mbështet dialogun dhe negociatat paqësore dhe racionale midis vendeve të lidhura në kuadër të së drejtës ndërkombëtare për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”.

Presidenti rus, Vladimir Putin të enjten herët njoftoi ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë, disa ditë pasi njohu dy enklava separatiste Donetsk dhe Luhansk në lindje të Ukrainës, duke shkaktuar dënime dhe sanksione ndërkombëtare.

Ai tha se qëllimi i operacionit është të mbrojë njerëzit “të nënshtruar ndaj gjenocidit” nga Kievi dhe të “çmilitarizojë dhe denazifikojë” Ukrainën, dhe i bëri thirrje ushtrisë ukrainase të dorëzojë armët.

Sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili ka shpallur gjendjen e luftës, deri më tani janë vrarë më shumë se 130 persona, përfshirë civilë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Klubi i basketboll Peja ka njoftuar se ka arritur marrëveshje…