Tajvani: E paqartë kush do të na ndihmonte në luftë
Tajvani synon të luftojë për veten në çfarëdo konflikti të armatosur me Kinën, dhe është e paqartë se cilat vende mund t’i dalin krah atij, ka thënë ministri i Jashtëm i ishullit vetëqeverisës.
Kina e pretendon Tajvanin si territor të vetin, të cilin ka thënë se do ta vinte nën kontroll edhe me forcë në rast nevoje, ndërsa shqetësimet po rriten për një konflikt të mundshëm të armatosur.
Në një intervistë dhënë për Sky News Australia, Joseph Wu ka thënë se Tajvani, me popullsi prej 23 milionë banorësh, krahasuar me Kinën që ka 1.4 miliard banorë, duhet të mbrojë veten dhe nuk po u kërkon vendeve të tjera të luftojë për të.
Megjithatë, i pyetur se kush mund të luftojë përkrah Tajvanit, në rast të një lufte me Kinën, Wu është përgjigjur: “Kjo është pyetje shumë e mirë”.
“Shumë njerëz po debatojnë paqartësinë strategjike apo qartësinë strategjike, por, ne e dimë përgjegjësinë tonë”, ka thënë Wu.
“Tajvani duhet të mbrojë veten, populli duhet ta mbrojë Tajvanin, këtë vend, dhe ne jemi të vendosur të mbrohemi dhe nuk po u kërkojmë vendeve të tjera të luftojnë për Tajvanin”, ka shtuar Wu, raporton “AP”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë disa herë se forcat amerikane do të ndihmojnë për mbrojtjen e Tajvanit, ndonëse politika zyrtare amerikane mbetet e paqartë rreth dislokimit të mundshëm të forcave.
Ministri i Mbrojtjes i Australisë, Richard Marles, ka thënë në mars se vendi i tij nuk ka bërë kurrfarë premtimi për ta ndihmuar ShBA-në në ndonjë konflikt të ardhshëm për Tajvanin, si pjesë e një marrëveshjeje për të siguruar nëndetëse bërthamore amerikane.
Biden dhe udhëheqësit e Australisë dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë njoftuar se Australia do të blejë nëndetëse sulmuese bërthamore nga ShBA-ja, për ta modernizuar flotën e saj, mes shqetësimeve në rritje për ndikimin e Kinës në rajonin e Indo-Paqësorit.
Kritikët australianë të marrëveshjes argumentojnë se ShBA-ja nuk do t’i jepte pesë prej nëndetëseve të saj të llojit Virginia, pa garanci se ato do të ishin në dispozicion në rast të një konflikti me Kinën për Tajvanin.
I pyetur nëse Tajvanin e pret një luftë, Wu është përgjigjur: “Shpresoj shumë që jo”.
“Arsyeja është shumë e qartë: Lufta nënkupton shkatërrim, jo vetëm për atë që sulmohet, por ndoshta edhe për vendet e tjera”, ka theksuar Wu.
“Prandaj, në këtë moment, ndonëse po shohim se tensioni po rritet dhe se konflikti po duket më i mundshëm, ndërsa paqja ka gjasat më të vogla për t’u ruajtur, duhet të bëjmë gjithçka për të parandaluar shpërthimin e një lufte”, ka thënë ai.
Wu ka shtuar se Tajvani po punon për të ruajtur status quo-n – në thelb pavarësinë de facto, pa një deklarim formal. Ish-koloni japoneze deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, Tajvani u nda nga pjesa kontinentale e Kinës katër vjet më vonë, pasi qeveria nacionaliste e Chiang Kai-shekut iku në ishull para marrjes së pushtetit nga komunistët e Mao Zedongut, raporton “Rel”.
Tajvani nuk ka qenë kurrë pjesë e Republikës Popullore të Kinës dhe, ndonëse gjithnjë e më e izoluar në skenën diplomatike dhe e kërcënuar ushtarakisht nga Pekini, ka ruajtur një prani ndërkombëtare, të pavarur nga Pekini.
ShBA-ja mbetet aleatja më e ngushtë ushtarake dhe politike e Tajvanit, pavarësisht mungesës së marrëdhënieve formale diplomatike ndërmjet tyre. Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes kanë paralajmëruar për mundësinë e konfliktit në vitet e ardhshme, ndërsa forcat amerikane kanë rritur praninë e tyre në Azi, më së fundi në Filipine, për të reaguar në rast të një zhvillimi të tillë.
Të premten, Ministria tajvaneze e Mbrojtjes tha se ushtria e Kinës pilotoi 38 aeroplanë sulmues dhe aeroplanë të tjerë luftarakë afër Tajvanit, si pjesë e një fushate ngacmimi dhe frikësimi.