Tajvani mundësi për plasimin e produkteve “Made in Kosova”
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka pritur në një takim miqësor një delegacion të zyrës përfaqësuese të Tajvanit për Evropë me seli në Budapest të udhëhequr nga Yun-Ping Andrew Chang me zyrtarë të tjerë të kësaj zyre, me qëllim të diskutimit rreth avancimit të bashkëpunimit ekonomik në mes të Kosovës dhe Tajvanit.
Gjatë këtij takimi u informuan se Tajvani është duke përgatitur një statut preferencial për prodhimet e Kosovës me qëllim të krijimit të mundësive për eksport në këtë vend, në veçanti për mineralet, prodhimet bujqësore, përpunim të metaleve dhe produkteve të tjera.
“Duhet të eliminohen disa barriera për lëvizjen e bizneseve nga Tajvani në Kosovë sepse ekziston potencial dhe vullnet i pashfrytëzuar për plasim të produkteve kosovare, por lëvizja dhe vizitat e bizneseve nga ky shtet mik duhet të lirohen nga procedura burokratike”, është thënë në njoftimin e OEK-ut.
Gjithashtu në këtë takim ishin prezent edhe disa biznese të Kosovës të cilat kanë potencial eksporti të produkteve të tyre në këtë treg.
“Qëllimi i vizitës së këtij delegacioni ishte mundësia e gjetjes së partnerëve afarist nga Kosova për plasimin e produkteve ‘Made in Kosova’ në Tajvan si dhe pjesëmarrjen në panaire të ndryshme të organizuara qoftë në Tajvan. Gjatë qëndrimit të këtij delegacioni janë paraparë vizita të shumë bizneseve kosovare në regjione të ndryshme të vendit tonë”, thuhet në njoftimin e OEK-ut.
Vitin e kaluar ishte organizuar një vizitë e ngjashme e një delegacioni nga Tajvani në Kosovë, me ç’rast e vizituan edhe Panairin e organizuar nga OEK-u, si dhe disa firma kosovare.
Si rezultat i kësaj vizite ishte realizuar edhe eksporti i produkteve nga kompanitë “Frutex” dhe “Ujë Rugove” në këtë shtet.
/Epoka e re/