Takim diplomatik në një atmosferë miqësore
Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës ia dhuron homologes së tij amerikane veprën “Mashtrimi i madh”
Më 2 shkurt 2022, në selinë e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Düsseldorf, Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Düsseldorf, z. Arjan Kashtanjeva priti homologen e tij të SHBA-ve në Düsseldorf, zonjën Pauline Kao.
Në takimin e punës të dy konsujve të përgjithshëm u trajtuan çështje që lidhen me specifikat e punëve konsullore dhe, në këtë kontekst, z. Kashtanjeve e njoftoi diplomaten amerikane për faktin se në rrethinën e Nordrhein-Westfalen jetojnë rreth 100 mijë shtetas të Kosovës, të cilët janë shumë mirë të integruar në shtetin gjerman.
Përveç temave që lidhen me punët konsullore, Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës i shprehu mirënjohje zonjës Pauline Kao për ndihmën e vazhdueshme amerikane që Kosova të jetë një shtet demokratik që funksionon mbi bazën e vlerave dhe parimeve euro-atlantike.
Gjatë këtij takimi diplomatik, që kaloi në frymë të ngrohtë miqësore, konsujt e përgjithshëm evokuan edhe të kaluarën e afërt ku falë rolit parësor të SHBA-ve iu dha fund politikës së gjenocidit që kreu Serbia në Kosovë. Në kuadër të kësaj teme, z. Kashtanjeva ia dhuroi homologes së tij amerikane botimin anglisht të veprës “Mashtrimi i madh” të autorit Bardhyl Mahmuti, vepër që në mënyrë të argumentuar nxjerr në pah tmerret e gjenocidit që ka përjetuar populli shqiptar në Kosovë.
Takimi përfundoi me vlerësimin se ky takim ishte tepër frytdhënës dhe se komunikimet e tilla diplomatike duhet të vazhdohen.