Takim midis “miqve” në Bruksel më 14 shtator, thotë Josep Bordelli!

01 shtator 2023 | 16:06

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Mocioni si përpjekje për reanimacion: Opozita nuk është aspak e kënaqur me pozitën, me qeverinë Kurti 2 e sidomos me Albin Kurtin si kryeministër. Deri më tani opozita nuk e ka penguar me asgjë qeverinë madje, në jo pak raste i ka votuar ligjet të cilat Kurti asnjëherë nuk do i votonte, po të ishte në opozitë. Ramush Haradinaj, frontman i AAK-së që nga fillimi kishte deklaruar se Albin Kurti është mashtrues mirëpo gjithmonë ishte i gatshëm të bashkëpunonte me Kurtin. Ndaj Kurtit shprehte dyshime se po punon sipas agjendës së Serbisë dhe kishte kërkuar hetime për të kaluarën e tij. Për Besnik Bislimin, pa asnjë dyshim tha se është bashkëpunëtor i Serbisë sikur edhe për disa ministra tjerë. Po del se qeveria Kurti 2 është qeveri nën hije e Serbisë gjë që është problem për të besuar. Albin Kurti e zgjodhi mënyrën më të keqe dhe më poshtëruese për “bashkëpunim” me opozitën duke e shpërfillur skajshëm dhe duke e trajtuar si opozitë kriminale dhe armiqësore përjashtuar rastet kur kishte nevojë për votat e saj. Fuqia e madhe politike përmes mbi 50% të votave e zhvendosi Kurtin dhe ministrat injorantë, arrogantë, një pjesë edhe paedukatë në një realitet tjetër duke i dhënë të drejtë të sillen si të duan. Ka qenë e pritshme që, herët a vonë do të ketë “kryengritje” të opozitës e që fillimisht u manifestua me kërkesën e AAK-së për përkrahje të mocionit për rrëzim të qeverisë Kurti 2 por që nuk u përkrahë nga PDK-ja dhe LDK-ja që këmbëngulin që vendi të shkojë në zgjedhje shkaku se janë të sigurt se, tani për tani nuk mund t’i sigurojnë votat e mjaftueshme gjë që është e saktë. Votat e Listës Serbe nuk i duan për rrëzim të qeverisë Kurti 2 ndonëse i pranojnë kur kanë nevojë për formim të institucioneve. Kjo është dyfytyrësi politike dhe morale. Qeveria Kurti 2 mund të rrëzohet vetëm me protesta të përditshme, nëse sigurohet një masë kritike e protestuesve.  Po a ka interes opozita ta rrëzojë qeverinë Kurti 2 në këto rrethana?! Besoj se nuk ka asnjë interes ta rrëzojë qeverinë por kanë interes të bëhen pjesë e qeverisë në të cilën përsëri do të qeveriste vetëm Kurti. AAK-ja në një kohë nuk e kundërshtonte këtë, LDK-ja ishte në pritje të heshtur ndërsa për PDK-në jam i sigurt se nuk do të pranonte të bëhej pjesë e qeverisë Kurti 2, në asnjë rrethanë. LDK-ja rri cuc para Lumirit, njeriut që pa asnjë pikë djerse dhe mundimi e mori partinë duke mos e merituar këtë post me asgjë. Po ky Lumiri i rri cuc Vojsa Osmanit e cila u bë presidente ekskluzivisht sipas dëshirës së Albin Kurtit i cili edhe sot e mbanë peng. Natyrisht se Vojsa Osmani e ka zgjedhur statusin e të mbajturit peng krejt vullnetarisht , për një post të cilin nuk e ushtron efektivisht, postin e Presidentes. Tërë kohën e ka luajtur rolin e këshilltares për çështje ushtarake të Zelenskit, bashkë me atë këshilltarin e fejsbukut që rri kujdestar se çka po ndodhë në Serbi dhe a i kanë ardhur menstruacionet Vulinit për t’u kapur pastaj me te. Një armik që e patën, Prigozhinin nuk e kanë më, tash u ka mbetur edhe Putini. Çfarë injorantësh, punën llugë në shtëpi e po i rregullojnë punët, jo në kojshi për në Ukrainë, Rusi dhe Bjellorusi! Çfarë injorantësh! Edhe tash AAK-ja nuk po kërkon zgjedhje por rrëzim të qeverisë Kurti 2 dhe formimin e një qeverie teknike, deri në një zgjidhje tjetër. E ajo zgjidhje nuk vjen se nuk vjen por, e them hipotetikisht, edhe nëse vjen në krye do ta keni projugosllavin dhe proserbin e thekur, Jeton Qurroin. Opozita e tashme nuk bashkëpunon as në pikat që duhet të jenë të përbashkëta për opozitën e lëre më për rrëzimin e qeverisë aktuale. Prandaj, më mirë është të angazhohen për thellim të reformave, përpjekje për rikthim të elektoratit të humbur dhe punën me diasporën. Një parti normale që mendon të jetojë dhe veprojë edhe një kohë në Kosovë, në rrethana aktuale, edhe nëse ia japin pushtetin në pjatë, nuk duhet ta pranojë sepse nuk është kohë e mirë dhe e përshtatshme për aktivitet normal politik dhe marrje të vendimeve  të pavarura në kohën kur Kosova është para problemeve të mëdha sidomos në marrje të vendimeve që do ta përcaktojnë të ardhmen e saj kombëtare, politike dhe shtetërore. Vendimet e mëdha merren tjetërkund, nga ju kërkohet t’i pranoni pa asnjë kundërshtim dhe t’i zbatoni, gjithashtu pa asnjë kundërshtim. Cili udhëheqës i dinjitetshëm, i përgjegjshëm e që e ka një minimum të ndershmërisë dhe korrektësisë do ta pranonte këtë?! Për fat të keq sot në Kosovë nuk ka politikanë që për shkak të interesave të përgjithshëm i mohojnë interesat personale, ndodhë pikërisht e kundërta. Deri në kohën kur pozita do të sillet sipas një korrektësie minimale me opozitën, opozita nuk do të duhej t’i votonte asnjë ligj  pozitës duke e lënë të vetmuar në rrugëtimin e saj të theqafjes! Pa e penguar me asgjë!

Kurti e ka edhe përkrahjen ndërkombëtare: Opozita, në rrëzimin e qeverisë Kurti 2 ka llogaritur edhe në votat e ndërkombëtarëve sipas një automatizmi me qeverinë Kurti 1 që mori në thua në këmbën e Grenellit. Opozita ka bërë llogaritë e gabuara në këto baste politike për faktin se Albin Kurti ka mbi 50% të votave dhe kjo i lejon një komoditet të bëjë ç’të dojë brenda vendit sikur edhe ta luaj një rol të macho politikanit në skenën ndërkombëtare. Këtë mundësi Kurti e ka shfrytëzuar 100% brenda vendi duke krijuar institucione që udhëhiqen nga ish-udbashët apo pasaradhësit e tyre, ish projugosllavët dhe proserbët me të cilët ka mbjell thuaja të gjitha institucionet duke i larguar apo përndjekur ish të burgosurit politikë, ish- ushtarët e UÇK-së, fëmijët e tyre apo edhe familjet e tyre. Kjo lehtësisht sot mund të shihet, pa pasur nevojë të gërvishte më thellë. Në institucione ka ish-paramilitarë serbë, ish-policë të Serbisë dhe ish oficerë apo ushtarë të ushtrisë serbe dhe jugosllave. Ka dëshmitarë që kanë dëshmuar në procese politike kundër veprimtarëve politikë shqiptarë, kundër ushtarëve shqiptarë në ish-Jugosllavi që janë dënuar ose vrarë gjatë shërbimit ushtarak. Qeveria Kurti 2 është e çliruar nga çdo patriotizëm, nga nacionalizmi shqiptar e që ndërkombëtarët e vlerësojnë shumë. Ministra por edhe disa zyrtarë të qeverisë Kurti 2 kanë qëndrim sadist dhe hakmarrës ndaj atyre që e bënë luftën e lavdishme çlirimtare në Kosovë e që tani po mbahen si pengje të Gjykatës Raciste Speciale në Hagë. Pas një kohe, kur të hapen letrat do të vërtetohet kontributi shumë domethënës i disa ministrave dhe z/ministrave të Qeverisë Kurti 1 dhe 2, si gjatë dëshmive, sigurimit të

“dëshmitarëve të mbrojtur”, mosdhënien e garancive për lirimin e tyre si dhe përpjekjeve që t’ua bëjnë jetën sa më të vështirë pengjeve të Hagës dhe familjeve të tyre. Ndërkombëtarët këto gjëra i pëlqejnë, duan që vet të jenë nacionalistë por nuk ua lejojnë të tjerëve . Për një interes shtetërorë dhe kombëtar janë në gjendje të shkatërrojnë shtete me mijëra e mijëra kilometra larg ndërsa nuk lejojnë bashkim të natyrshëm me popullin dhe shtetin nga i cili ju kanë ndarë dhunshëm. Bashkimin kombëtar, qeveria Kurti 2 do ta bënte që sot po të mos ishte Kushtetuta e mallkuar e Kosovës e cila, kur Kurti hypi në pushtet e futi një nen që e ndalon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Këtë e duan ndërkombëtarët, nuk e duan bashkimin me Shqipërinë por nuk e kundërshtojnë, madje edhe punojnë për bashkim me Serbinë. Ka në qeverinë Kurti 2 z/ministra që kanë ikur nga lufta dhe pastaj kanë deponuar deklarata që, përkah poshtërsia ia kalojnë edhe Nazim Bllacës. Të tillë i do Kurti, të tillë i duan ndërkombëtarët. Disa zyrtarë dhe referentë me poste ministrore të qeverisë Kurti 2 kanë të kaluar kombëtare, qoftë të fituar me meritë, qoftë të trashëguar, pa meritë. Të parët duhet të kthjellen kurse të dytët më mirë mos të flasin fare për prejardhjen e tyre. Ndryshe, si do të lejonin që logjika projugosllave dhe proserbe të aktualizohet edhe tash. Si do të rrinin cuc para ish paramilitarëve dhe ish ushtarëve të ushtrisë jugosllave dhe serbe. Si do të rrinin cuc para anastaslulove të Tiranës dhe një andarteje greke që ua ka shpërlarë trurin, dikur me idenë Megali Albania e tash me angazhimin për Megali Serbia. Po edhe nëse Albini, me të tijët vendosë që edhe lëkurën të na rrjepin, ndërkombëtarët nuk do të reagojnë sepse iu duhet për procese politike që e presin Kosovën e që e kanë ambalazhuar me normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Këtë e duan ndërkombëtarët prandaj ia lejojnë një sjellje prej macho politikani edhe në planin ndërkombëtar. Sepse janë të sigurt se është dhe do të jetë i dëgjueshëm për të gjitha çështjet para tyre. Në publik le të flasë çka të dojë, fjalët i bartë era. Me rëndësi është nënshkrimi dhe Albini di mirë të nënshkruaj. Albini do t’i nënshkruaj të gjitha vetëm që të mos përjashtohet nga qendra e vëmendjes. Vetëm t’i mundësohet “shoqërimi” me Miqotakis dhe Dendias, me Lajçak dhe Bordell. T’i mundësohet ta mësojë zonjën Macron për historinë e Francës, Revolucionin Borgjez francez, Robespierin, Dantonin dhe Napoleonin, t’i ligjërojë diplomatit Solana për artin spanjoll dhe botëror në muzeun Prado në Madrid, të ligjërojë për maurët dhe saracenët apo për rëndësinë e Kanalit të Panamasë për ekonominë e Kosovës, sipas paramilitarit Murati. Të tregojë muskuj para Ramës dhe Ali Ahmetit, mes të tjerash.  Është i zgjuar, ka shkathtësi oratorike, krijon kriza të vogla për ta mbuluar dështimin e madh, bartë këto kriza në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Luginë të Preshevës por jo edhe Serbi apo Mal të Zi. Në vend të politikës së jashtme ka prostitucion diplomatik, në vend të shkollimit ofron analfabetizëm funksional. Në vend të zhvillimit ka varfëri  të shtuar dhe luftë për mbijetesë. Punësimi në baza familjare dhe partiake është shndërruar në kategori që mbrohet nga Kushtetuta e Kosovës. Kapja e institucioneve, të të gjitha niveleve, përkah perversiteti  ia kalon edhe Markezit de Sad. Disi kam një siguri se Albin Kurti e ka përkrahjen e madhe të ndërkombëtarëve, në të kundërtën që moti do t’ia kishin hequr puplat duke e lënë të lakuriquar.

Po pse nuk ka reagim qytetar ndaj kësaj gjendjeje, me të drejtë do të pyesni. Për një jam shumë i sigurt se mosreagimi qytetar është se po presin 1 janarin e vitit 2024 kur, sipas premtimeve koha kur do të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës dhe se fatin më nuk e lidhin me Kosovën por me ndonjë shtet të perëndimit. Përveç të rinjve Kosovën po e lëshojnë edhe qytetarë të moshës së mesme për t’i marrë më vonë edhe ata që me një këmbë janë në varr. Ta shohim, shpejtë vjen kjo ditë dhe kjo datë!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Cristiano Ronaldo u zgjodh këtë të enjte lojtari i muajit…